Sfida me Shqipërinë, Dechamps paralajmëron ndryshime

10/06/2015 00:00

Franca vazhdon përgatitjet në Clairefontaine për sfidën me Shqipërinë që do të luhet në “Elbasan Arena”. “Gjelat” janë kompletuar, pasi gjithë lojtarët gjenden në dispozicion të trajnerit Didier Dechamps.

Finalistët e Champions-it, Paul Pogba dhe Patrice Evra i janë bashkuar grupit të skuadrës të martën, në një seancë që ka qenë e hapur për tifozët. Këta të fundit kanë shfrytëzuar për të bërë foto me idhujt e tyre.

Francezët pësuan një humbje shokuese 4-3 në stadiumin “Stade de France” nga Belgjika, që edhe njëherë dëshmon se nuk është rastësisht e dyta në klasifikimin botëror. I vetmi lojtar që nuk do jetë pjesë e skuadrës së Francës, është Karim Benzema, sulmuesi i Realit që është në Shtetet e Bashkuara.

Trajneri Dechamps ka deklaruar në konferencën për medie që në Shqipëri do të hedhë në fushë një skuadër tjetër, nga ajo që luajti në Francë kundër Belgjikës. Sipas tij, me Shqipërinë do jetë një ndeshje tjetër, krahasuar me atë të së dielës.

“Unë gjithmonë mundohem të bëj ndryshime në skuadër, prandaj edhe ndaj Shqipërisë do t’i qëndroj besnik kësaj logjike. Mos më pyesni cilat do jenë ndryshimet, por Shqipëria është një kundërshtar tjetër, me potenciale ofensive më të ulëta se Blegjika, dhe loja do ketë një dinamikë tjetër”, është shprehur Dechamps.

Gazetarët e kanë pyetur trajnerin francez edhe për dyshen e Juves, Paul Pogba dhe Patrice Evra. “Ata janë detyruar që ta përballojnë humbjen e një finaleje, që ju siguroj se nuk është aspak e lehtë. Pogba dhe Evra janë të lumtur që na janë bashkuar, ndërsa ardhja e tyre është një gjë shumë e mirë edhe për grupin”, ka deklaruar Dechamps.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel