Kombëtarja, Hysaj dhe Lenjani të motivuar për Francën

10/06/2015 00:00

Në kampin e kuqezi në Durrës, Kombëtarja Shqiptare vazhdon përgatitjet për sfidën ndaj Francës. Në seancën stërvitore të së mërkurës, De Biazi ka zhvilluar përgatitje taktike. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, përjashtim vetëm disa minuta në fillim që janë lejuar mediet.

Ledian Memushaj që nuk arriti të ngjitej në Serie A, nuk ka arritur në Shqipëri, edhe pse ishte planifikuar që do jetë me kuqezinjtë të mërkurën. Kapiteni i Pescara-s do t’i bashkohet skuadrës mëngjesin e së enjtes.

Ndërkohë, Elseid Hysaj që ka luajtur në çdo ndeshje të Serie A me Empolin, është shprehur se kuqezinjtë do ta konsiderojnë këtë sfidë si një kualifikuese, dhe jo miqësore. Ai gjithashtu thotë se mungesat nuk do jenë problem për Kombëtaren.

“Përballja me Francën është shumë e rëndësishme, ne nuk do ta konsiderojmë si një miqësore, por si një kualifikuese. Mungesat? Nuk përbëjnë problem. Kushdo që luan do të japë maksimumin dhe do tentojë të bind trajnerin për kapacitetet e tij”, është shprehur Hysaj.

Pas një sezoni të mirë, Hysaj është duke tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave italiane. Mediet kanë njoftuar se Juve, Inter, Milan, Lazio dhe Napoli janë në garë për shërbimet e shqiptarit.

“S’ka asgjë konkrete. Ndihem mirë kur dëgjoj që skuadra të mëdha më duan mua, por unë jam lojtar i Empolit. Napoli më ka kërkuar edhe sezonin e kaluar, ndërsa tani me ardhjen e trajnerit të ri, besoj se do tentojnë sërish të më bindin”, është shprehur Hysaj.

Sfida e parë me Francën në Rene ishte shumë e rëndësishme për Emir Lenjanin, pasi lojtari u transferua në skuadrën e këtij qyteti pas kësaj sfide. Megjithatë, ai nuk ka gëzuar shumë minuta me skuadren e tij, por thotë se nuk ka kujt t’i tregojë për vlerat e tij si lojtar.

“Me Francën do japim maksimumin dhe këtë do ta dëshmojmë në fushë. Kjo sfidë na jep motivim, pavarësisht se është miqësore, por në aspektin personal nuk kam kujt t’i tregojë asgjë, pasi në Francë i njohin vlerat e mia”, ka deklaruar Lenjani.

Top Channel