Cikalleshi dhe Lila vlerësojnë Francën

09/06/2015 00:00

Të shtunën do të luhet sfida ndaj Francës dhe kombëtarja shqiptare ka filluar përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj mikpritësve të Europianit 2016. Andi Lila dhe Sokol Cikalleshi u janë drejtuar gazetarëve në një konferencë për shtyp, para ndeshjes me “gjelat”.

Lojtarët që kanë qenë në nivele të larta këtë sezon me skuadrat e tyre respektive, kanë vlerësuar kundërshtarin e së shtunës, ndërsa thanë se miqësorja do të shërbejë për t’u përgatitur për sfidat e rëndësishme që i presin në muajt në vazhdim.

“Ndeshja me Francën është si qershia mbi tortë e një sezoni të gjatë. Është ndeshje me një ekip cilësor dhe është një ndeshje e veçantë për t’u shijuar dhe për t’u kënaqur”, është shprehur Lila. “Ne nuk kemi miqësore. Vlerësojmë çdo ndeshje në maksimum. Po pëgatitemi më së miri, pasi është e rëndësishme për fatet drejt Francë 2016″, ka shtuar Cikalleshi.

Këtë javë pritet që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Luzanë të japë vendimin e saj mbi ndeshjen Serbi-Shqipëri, që ishte ndërprerë për shkak të dhunës së tifozëve serb. Lojtarët shpresojnë që KAS-i të bëjë drejtësi dhe t’i japë tre pikë Shqipërisë, por thonë se pavarësisht vendimit, nuk do ndikojë te kombëtarja.

Cikalleshi pritet që karrierën e tij ta vazhdojë në Turqi, pasi ka rënë dakord me skuadrën e Instambul. “Kam rënë parimisht dakord me Instambul për 4 vite, por për shkak të impenjimit me Kombëtaren nuk kam shkuar të firmos. Pas ndeshjes me Francën do të hedh firmën dhe shpresoj që në të ardhmen të bëj një tjetër hap cilësor”, ka thënë sulmuesi.

Ndërkohë, Lila ka shprehur dëshirën të qëndrojë në Itali edhe sezonin e ardhshëm.  “Kam një kontratë 3 vjet e gjysëm me Parmën. Shpresoj që të qëndroj në Itali tek Parma ose edhe në një skuadër tjetër”, ka deklaruar ai.

Top Channel