Durrës, një i vrarë dhe dy të plagosur nga të shtënat me armë

08/06/2015 00:00

Një 31-vjeçar nga Laçi me precedent penal është ekzekutuar mbrëmjen e së hënës në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Kënetës, në pjesën e jashtme të një lokali. Nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vrarë shtetasi Robert Rama, 31 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Tiranë.

Viktima rezulton se ka qenë shpallur person në kërkim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tepelenë për veprën penale “Vjedhje me armë”.

Viktimës i është gjetur një armë zjarri e tipit pistoletë, ndërkohë që nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe dy shtetas, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Durrësit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia deklaron se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. E ndërsa nuk janë bërë ende të njohura motivet e ngjarjes, dyshohet se viktima, lëvizte në zona të ndryshme të vendit, duke përdorur dhe emra të tjerë, për të kryer krime kundër pronës, me qëllime përfitimi.

Brenda pak ditësh kjo është vrasja e katërt që ndodh në qarkun e Durrësit, pas vrasjes së tre personave në Thumanë të Krujës.

Top Channel