Berlusconi: Kam fituar 5 Champions, ndërsa Juve ka humbur 4 nga 5 finale

08/06/2015 00:00

I thirrur për një samit në Zvicër, për të detajuar tratativën me tajlandezin Bee Taechaubol, Silvio Berlusconi është nisur nga Milano mëngjesin e kësaj të hëne me disa drejtues të Fininvest, si dhe Licia Ronzulli, eksponente e partisë së tij “Forza Italia”, e cila ka luajtur rolin e ndërmjetëses mes ish-kryeministrit dhe Bee.

Të gjithë së bashku janë ulur në tryezë në 12 të drekës në Lugano, për të përcaktuar pikë për pikë akordin paraprak të shitjes së 48% të aksioneve drejt manjatit tajlandez. Sigurisht, analiza e të gjitha detajeve është detyra parësore e padronit kuqezi, me konsulentët e tij financiar dhe bankarë.

“Do të rikthehemi triumfatorë, do të rikthehemi edhe në Europë. Me mua, Milani ka fituar 5 trofe kampionë Europe (Kupa e Kampionëve dhe Champions League), ndërkohë që Juventusi, nga 5 finale të luajtura ka fituar vetëm një”, është shprehur Berlusconi në fund të takimit për median zvicerane “RSI”. “Dua t’iu siguroj të gjithëve, se Milani do të rikthehet i madh. Shpesh është vetëm çështje ciklesh, por titulli i fundit është jo shumë i vonshëm, vetëm 5 vite më parë”.
 
Presidenti i Milanit premton përforcime, por nuk jep asnjë detaj. “Nuk mund të përmend emra, pëndryshe do t’i digjja mundësitë dhe tratativat do të iknin dëm. Milani është pjesë e zemrës sime, ndaj dhe do të rikthehem të investoj”.

Dhe kur flet për investime, nuk flet rastësisht. Misioni i tij është që, me dhënien e 48% të aksioneve drejt Bee Taechaubol, të mund të shfrytëzojë lidhjet e tij qeveritare dhe tregtare në nivelet më të larta në vendet e Azisë, e mbi të gjitha në Kinë.

Manjati kinezo-tajlandez ka marrë përsipër detyrën për të hyrë në tregjet aziatike me strategji agresive marketingu, mahnitëse dhe inovative. Por mbi të gjitha, çelësi i suksesit për këtë akord paraprak ka qenë shuma prej 500 milionë eurosh, që i kanë prishur mendjen Silvios, për të zgjedhur pikërisht Bee në vend të kinezëve të tjerë që shfaqën interes.

Top Channel