Mediet ndërkombëtare, elozhe Barçës

07/06/2015 00:00

Barcelona ka triumfuar në finalen e Berlinit, duke çuar në shtëpi për të pestën herë trofeun me “veshë të gjatë”. Mediet ndërkombëtare i kanë dhënë rëndësinë e duhur kësaj ndeshje, ndërsa në shtete të ndryshme është komentuar në mënyra të ndryshme.

Në Itali mediet nuk i kanë kursyer fjalët e mira për Juven. “Gazzetta dello Sport” hapet me titullin “Me kokën lartë”, duke shkruar se “zonja” ishte në një nivel të lartë, pavarësisht humbjes. “Juve, je e madhe”, ka shkruar “Corriere dello Sport”, që flet për një skuadër mirë të organizuar në fushë.

“Tuttosport” mendon për finalen e ardhshme, pasi gazeta torineze shkruan se “zonja” nuk do të ndalet pas kësaj finaleje dhe do të jetë sërish njëra nga pretendetët e vitit të ardhshëm.

Në Spanjë, “AS” flet për një epokë të re të Barçës. Nën titullin “cikël i rinovuar”, shkrimi flet për drejtuesit e skuadrës të cilët kanë arritur që të ngrisin një skuadër tjetër fituese. “Marca” dhe “El Mundo” vëjnë theksin te sukseset e katalanasve në vitet e fundit, sidomos ato në Europë, teksa të shtunën kanë ngritur lartë trofeun e pestë të Champions-it.

Presitgjiozja gjermane “Bild” i ka dhënë më shumë rëndësi paraqitjes së portierit Ter Stegen, si dhe sulmuesit Luis Suarez, ndërsa në Francë, “L’Equipe” poshtë fotos së Barçës shkruan “Mbretër”. Në Angli, “Daily Mail” flet për një skuadër që ka pushtuar Europën, pasi në dhjetë vitet e fundit Barça ka fituar katër herë garën më prestigjioze europiane.

Top Channel