Sherri banal me 3 viktima në Krujë, policia identifikon autorët Kora

06/06/2015 00:00

Tre persona nga e njëjta familje; babai, djali dhe nipi; u vranë me armë zjarri në fshatin Thumanë të Krujës, pas një konflikti banal të njërit prej viktimave me autorët e dyshuar të krimit. Në ngjarje mbeti e plagosur edhe gruaja e familjes Çeku.

Viktimat janë Fran Çeku, 79 vjeç; djali i tij Arben Çeku, 44 vjeç; si dhe nipi Eno Rama, 20 vjeç; të 3 banues në Thumanë. Mbeti e plagosur edhe Lucie Çeku, 66 vjeç. Policia lokale thotë se ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive banale, që autorët kanë pasur rreth një orë para vrasjes, me njërin prej viktimave, Arben Çekun.

Autorët e dyshuar i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar mbi të dhe familjarët e tij, në rrugën e ngushtë që të çon drejt shtëpisë Çeku. Lidhur me ngjarjen, policia deklaron se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim burrat e familjes Kora, si autorë të dyshuar për krimin; konkretisht 3 vëllezërit Besnik, Pëllumb dhe Daniel Kora, si dhe babain e tyre, Guri Kora.

Ndërsa në shtëpinë e viktimave janë çelur dyert e zisë, vëllai i Franit, Frrok Çeku nuk di t’i japë shpjegim fatkeqësisë që i goditi, pasi Çekët nuk kishin probleme me askënd.

“Kur kemi dalë nga shtëpia i kemi gjetur të 3 të vdekur këtu në oborr. E katërta është kunata, e plagosur dhe në gjendje të rëndë në spital. Mjekët kanë thënë se nuk mund të japin përgjigje kaq shpejt dhe të saktë, pa kaluar të paktën 24 orë”, thotë Frrok Çeku, vëllai dhe xhaxhai i viktimave.

Në fshat thonë se, familjet Çeku dhe Kora janë banorë të hershëm të fshatit, e nuk kanë pasur probleme më parë mes tyre, përveç debatit të Arbenit në një lokal të fshatit me vëllezërit Kora, për një sherr të dhunshëm mes tyre dhe një shokut të tij, rreth një muaj më parë.

Shoku i ngushtë i Eno Ramës tregon se, sapo ishte ndarë me të, kur ka dëgjuar të shtënat që i morën jetën.

“Sa u ndava me të në një rrugë tjetër, punë 10 metrash dhe mora rrugicën tjetër. Besoj se është vrarë rastësisht, sepse ishte duke shkuar për në shtëpi”, thotë shoku.

Ndërsa fshati është në zi, shërbimet policore të Krujës dhe Durrësit kanë ngritur postblloqe në rrugë dhe vijojnë kontrollet në zonë, për të kapur autorët e dyshuar, të cilët pas krimit janë larguar me shpejtësi nga fshati.

Top Channel