Allegri: Kemi ardhur për të fituar. Edhe Barça ka pika të dobëta si çdo ekip

05/06/2015 00:00

“Kemi mbërritur këtu për të fituar, ndryshe do të kishim dalë shëtitje tashmë”. Ky është thelbi i konferencës për shtyp të Massimiliano Allegrit, trajnerit të Juventusit, një ditë përpara finales së madhe të Champions League në Berlin.

Ish-tekniku i Milanit, i cili u shpall edhe kampion i Italisë me bardhezinjtë këtë sezon, e di shumë mirë se edhe arritja në finale është një rezultat i jashtëzakonshëm, por sërish nuk synon të ndalet me kaq.

“Sigurisht që edhe Barcelona ka pika të dobëta, të gjitha ekipet kanë – shprehet trajneri livornez i Juventusit. – Ne duhet të zhvillojmë ndeshjen e jetës, të fokusohemi te reparti ynë i mesfushës dhe të kufizojmë mundësitë e një skuadre, e cila forcën e saj kryesore e ka te sulmi. Mungon vetëm hapi i fundit. E dimë që është e vështirë. Donim të mbërrinim të paktën në çerekfinalet e këtij kompeticioni, ndërsa ju e shihni se ku jemi. Kemi treguar se mund t’i tejkalojmë objektivat tona”, tha Allegri.

Konferenca për shtyp në Berlin shfaqi një Allegri thuajse të çlodhur, ndoshta edhe për shkak se e kanë tejlodhur pyetjet e njëjta të përditshme mbi sulmin e “blaugrana”-ve.

“Messi, Neymar, Suarez… është gjithnjë i njëjti grup. Edhe ne kemi lojtarë të aftë për të fituar Topin e Artë, si Buffon dhe Tevez, të cilët gjatë këtij viti do ta meritonin diçka të tillë. Ajo që mund të them për Barcelonës është se nuk i ngjan aspak skuadrës, me të cilën jam përballur dy vite më parë në Champions. Ajo atëherë luante pa qendërsulmues, ndërsa tani është Suarez. Ne kemi mbërritur pa luajtur bukur në të gjitha sfidat, por jemi solidë dhe drejtuesit i kanë ndërtuar tashmë bazat për të ardhmen. Juve duhet të qëndrojë gjithmonë mes 8 më të mirëve të Europës”, deklaroi Allegri.

Ka folur edhe për Luis Enrique, i cili ashtu sikurse dhe vetë Allegri nuk i bindte të gjithë fillimisht kur morën drejtimet e klubeve respektive. “Edhe në Itali dukeshin qartë kualitetet e tij. Ndryshimi i kampionateve, nga ai italian tek ai spanjoll, ka qenë i vështirë, por tashmë me Barçan ka treguar sesa i zoti është. Nuk e di sesi do të përfundojë ndeshja nesër, por nuk besoj se do të shohim një ndeshje pa gola”.

Top Channel