Enrique: Tensioni mund të sjellë “shakara” të hidhura. Nuk ka favoritë

05/06/2015 00:00

Vigjilja e finales së Champions League, në Berlin të Gjermanisë, duket se ka marrë dozat e fundit të ankthit dhe të padurimit, pas konferencave për shtyp të të dy skuadrave, të mbajtura pasditen e kësaj të premteje.

Luis Enrique duket se ka “harruar” kravatat dhe xhaketat dhe është shfaqur me një “polo” e tepër i çlirët, si dhe me një tatuazh në dukje.

“Duke qenë se është sezoni im i parë si trajner i Barcelonës, do të thoja se gjithçka po ecën më së miri. Por, nesër mund të bëjmë maksimumin tonë, duke fituar edhe Championsin. Duhet të kemi frerët e lojës në kontrollin tonë, sigurisht edhe të bëjmë lojën që dimë të bëjmë vetëm ne”, është shprehur trajneri i katalanasve.

Dhe natyrshëm lind pyetja: çfarë lloj ndeshjeje?

“Besoj se do ta mbajmë më shumë topin nën kontroll, se ata, ndërsa Juventusi do të përpiqet të na vendosë në vështirësi në disa situata sporadike. Sigurisht që edhe ata kanë kualitete”, ka thënë më tej Enrique, ish-trajner i Romës, që e njeh më së miri futbollin italian.

Por kujt i druhet më së shumti tekniku “blaugrana”? Entuziazmit të tepërt…

“Duhet të qëndrojmë të qetë, të përqendruar. Ndeshjet finale kanë gjithmonë tension të jashtëzakonshëm, thjesht shpresojmë të mos na ndikojnë së tepërmi. Kemi shënuar shumë gola gjatë sezonit, por finalja është e veçantë. Flitet shumë për sulmin tonë, por është normale, duke qenë se kemi lojtarë si Messi, Neymar dhe Suarez. Megjithatë, për të fituar nevojitet e gjithë skuadra, jo vetëm sulmi. Shifrat në fakt tregojnë se kemi fituar dy trofe si skuadër”, deklaroi Luis Enrique. Sa i përket Iniestas, “do të jetë në 100% të formës së tij, për fatin tonë të mirë”.

Sa i përket ndeshjes: “Thonë që Barcelona është favorite, por në një finale nuk ka të tillë. Janë 90 minuta, gjatë të cilave të dy skuadrat mund të japin më të mirën e tyre. Juventusi është një skuadër e madhe realisht, nuk është rastësisht këtu në Berlin. Buffonin, si një superportier, e zgjidhja gjithnjë kur luaja ‘Playstation’, por nesër do të doja t’i bëja gol”.

Top Channel