F1, Mercedesi fluturon, Vettel i 5-ti

05/06/2015 00:00

Mercedesi duket vërtet i pakapshëm. Të paktën këtë ka treguar sesioni i parë i provave të lira të kësaj të premteje, të cilat kanë konfirmuar supremacinë e njësisë motorike të skuderisë nga Shtutgarti.

Lewis Hamilton ka shënuar kohën më të shpejtë, në një pistë ku ka fituar plot 3 herë garat në të kaluarën, ndërsa pas tij Nico Rosberg, shoku i skuadrës dhe i vetmi “rival” që mund ta shqetësojë momentalisht.

Surprizë kanë qenë Lotusi i Romain Grosjean dhe Force India e Nico Hulkenberg, të cilët kanë lënë pas tyre 4 herë kampionin e botës, Sebastian Vettel, me Ferrarin e tij të ndryshuar.

Të katër këto skuderi të 4 vendeve të para, sikurse dhe Williams, me Massan në vendin e 6 dhe Bottas në të 11-in, kanë montuar motorët e rinj termikë, me të gjitha sistemet e rinovuara përfshi atë Kers, Ers, bateritë dhe njësinë e kontrollit elektronik. Këtu përjashtim bën vetëm i pari… Hamilton po vijon të përdorë njësinë e dytë prej disa garash.

Sesioni i dytë i provave të lira nis nga ora 8 e mbrëmjes së të premtes, për të vijuar më pas të shtunën në orën 19:00 me provat zyrtare për “pole position”, si dhe të dielën me garën, në orën 20:00 për Çmimin e Madh të Kanadasë. Të shtunën dhe të dielën, si çdo fundjavë aktiviteti të automobilizmit, transmetimet mund t’i ndiqni drejtpërdrejt në Top Channel dhe Top Channel HD.

Top Channel