Klasifikimi i FIFA-s, Shqipëria fiton gjashtë pozicione

04/06/2015 00:00

Kombëtarja Shqiptare, ashtu sikurse të gjitha kombëtaret tjera europiane, nuk ka luajtur asnjë ndeshje gjatë katër javëve të kaluara, por kuqezinjtë kanë fituar disa pozicione në klasifikimin e ri të FIFA-s që është publikuar të enjten.

Shqipëria ka fituar gjashtë pozicione, duke u renditur në vendin e 51-të, ndërsa në klasifikimin e mëparshëm pozicionohej në të 57-n. Kuqezinjtë lënë mbrapa kombëtare si Japonia, Panamaja, Egjipti dhe Turqia.

Sa i përket kundërshtarëve të Grupit I për eliminatoret e Europianit, Armenia ka rrëshqitur shtatë vende, duke u pozicionuar e 85-ta. Serbia ka humbur një vend, dhe tani është e 45-ta, ndërsa Danimarka është në vendin e 29.

Portugalia nuk ka lëvizur nga vendi i shtatë, ndërsa kundërshtari i 13 qershorit, Franca është rikthyer në Top 10-shën e më të mirëve, duke u pozicionuar në vendin e nëntë.

Ndërkohë, Gjermania vazhdon të kryesojë renditjen botërore, ndërsa Belgjika është e dyta, duke arritur renditjen më të mirë në histori të saj. Argjentina është e treta, Kolumbia e katërta, Brazili i pesti, Holanda e gjashta, Uruguai i teti dhe Spanja e dhjeta.

Top Channel