Një skuadër që njeh vetëm fitore

04/06/2015 00:00

Sa herë futen në fushë, 11 zemra rrahin njësoj. Djemtë e ekipit të futbollit “FC Kevitan” nuk janë thjesht një skuadër, por një familje e madhe.

Dikur, ata ishin disa të rinj, që askush nuk u jepte mundësi të tregonin talentin, edhe pse dëshira për të luajtur ishte e madhe. Dyert u mbylleshin, deri sa një vit më parë u themelua skuadra e “Çunave të lagjes”, siç u thërret shpesh trajneri, Mark Vataj.

Që nga krijimi i tij, në 21 ndeshje të luajtura ekipi ka njohur vetëm fitore, pa asnjë barazim. Rezultati mbresëlënës është fryt i stërvitjes intensive çdo ditë, që karakterizohet nga orë të gjata në fushën e blertë.

Ekipi i Kategorisë së Dytë, tashmë ka krijuar një emër. Djemtë luajnë me zemër. Sipas trajnerit, suksesi lidhet së pari me frymën e grupit, pa harruar disiplinën. Mbi 65% e djemve janë me shkollë të lartë, ndërsa vijnë nga profesione të ndryshme.

Mund të sfidojnë çdo ekip, sikurse pretendojnë, pse jo, të kalojnë në Kategorinë e Parë. Ambiciozë, të disiplinuar dhe me shpirt skuadre, djemtë japin çdo ditë nga vetja për ekipin. Është vetëm viti i parë në kampionat.

Ku mund të arrijnë këta djem, nëse vazhdojnë me këtë ritëm? Rezultatet e deritanishme flasin shumë.

Top Channel