Zyrtare, Amir Abrashi kalon te Freiburg

03/06/2015 00:00

Pas pesë vitesh të zviceranët e Grasshoppers dhe mbi 150 ndeshjeve të zhvilluara me fanellën e kësaj skuadre, mesfushori Amir Abrashi ka kaluar te gjermanët e Freiburg, skuadër kjo që sezonin e ardhshëm do luajë në Bundesliga 2.

Skuadra gjermane i ka uruar mirëseardhje lojtarit të Kombëtares Shqiptare. Duke cituar drejtorin sportiv të skuadrës, Klemens Hartebahch thuhet se Abrashi ka qenë një dëshirë e vjetër e Freiburgut.

Sipas tij, eksperienca e pasur ndërkombëtare e Abrashit me Shqipërinë, do të ndihmojë skuadrën që të arrijë më shpejtë synimet për rikthimin në Bundesligë.

Ndërkohë, Abrashi është shprehur se e kishte dëshiruar këtë transferim prej disa vitesh dhe është i kënaqur që më në fund është bërë realitet. “Kam besim se këtu do të rritem nga ana profesionale dhe do të jap maksimumin për skuadrën”, – ka thënë Amir Abrashi.

Suksesin më të madh me Grasshoppers, Abrashi e regjistroi në vitin 2013, kur skuadra nga Zyrihu fitoi Kupën e Zvicrës pasi mundi në finale Baselin. Abrashi aktivizohet me Kombëtaren Shqiptare prej vitit 2013 dhe deri më tani ka zhvilluar 13 ndeshje me kuqezinjtë.

Top Channel