Laçi, Skënderbeu dhe Flamurtari dyshohen për trukime ndeshjesh

03/06/2015 00:00

Shoqata kundër trukimit të ndeshjeve dhe zbulimit të tyre, Federbet, ka paraqitur një raport në Parlamentin Europian me disa ndeshje të trukuara në këtë sezon. Mes tyre, nuk kanë munguar edhe skuadrat shqiptare.

Sipas këtij raporti, skuadrat e kampionatit tonë që kanë zhvilluar ndeshje me rezultat të paracaktuar janë: Laçi, Skënderbeu dhe Flamurtari.

Sa i përket skuadrës kurbinase, dyshimet janë për ndeshjet e Europa League dhe miqësorja me skuadrën Shtutgart, e zhvilluar në fazën përgatitore në Portugali. Disfata e thellë 5-0 edhe në mediat gjermane pati jehonë në atë periudhë.

Flamurtari dyshohet për ndeshjen e Europa League me Bolnisin, më saktë për ndeshjen e kthimit në Vlorë, e humbur nga skuadra shqiptare në pjesën e dytë.

Skëndërbeu është përfshirë në këtë listë për ndeshjen miqësore të pushimeve të dimrit me Ostenden me rezultatin 4-0.

Në këtë raport nuk janë përfshirë ndeshje të Superligës, apo ato që Komisioni i Etikës i ka veçuar në mbledhjen e fundit.

Top Channel