FIFA, dorëhiqet Sepp Blatter

02/06/2015 00:00

4 ditë pas rizgjedhjes, Sepp Blatter jep në mënyrë të çuditshme dorëheqjen nga posti i presidentit të FIFA-s, post të cilin ai e mbante që prej vitit 1998.

Akuzat e vazhdueshme për korrupsion, arrestimet e 7 zyrtarëve të FIFA-s dhe përfshirja e të afërmve të tij në hetimet fundit të FBI-së, mesa duket kanë shtyrë 79-vjeçarin të largohet nga drejtimi i FIFA-s, organizmi më i lartë i futbollit botëror.

Në një konferencë për shtyp, zvicerani Blatter ka theksuar se do të vazhdojë detyrën e tij si president deri në Asamblenë e Jashtëzakonshme, nga e cila do të dalë presidenti i ri.

“Kam dhënë shumë në këtë post, megjithatë ajo që ka rëndësi për mua është FIFA dhe futbolli anembanë botës. Por, mesa duket, mandati im nuk ka siguruar mbështetjen e të gjithëve”, deklaroi Blatter. “Kongresi i ardhshëm i FIFA-s është parashikuar të mbahet në Meksikë, më 13 maj të vitit të ardhshëm, por mendoj se deri atëherë është shumë vonë”, ka shtuar Blatter.

Mediet botërore theksojnë se Kongresi i Jashtëzakonshëm i FIFA-s, nga ku do të dalë dhe presidenti i ri, pritet të zhvillohet mes muajit dhjetor të këtij viti dhe marsit të vitit të ardhshëm.

Ditën e hënë, “New York Times” publikoi një dokument, ku shihet se ish-krahu i djathtë i Blatter, Jerome Valcke, ka autorizuar në vitin 2008 transferimin e 10 milionë dollarëve, shifër kjo, që sipas medieve botërore është përdorur nga FIFA për të siguruar organizimin e Kupës së Botës 2010 nga Afrika e Jugut.

Ky autorizim është një pikë e rëndësishme në hetimet e autoriteteve amerikane, të cilët po i afrohen gjithnjë e më shumë presidentit tashmë të dorëhequr të FIFA-s, Sepp Blatter.

Top Channel