Hamburgu siguron qëndrimin në Bundesligë

02/06/2015 00:00

Një ndeshje dramatike është luajtur mbrëmjen e së hënës në Gjermani mes Hamburgut dhe Karlsruher, e vlefshme për një vend në Bundesligë për vitin e ardhshëm.

Edhe pas këtij takimi, Hamburgu vazhdon të mbetet skuadra e vetme gjermane, e cila nuk ka rënë asnjëherë në kategorinë e dytë, pasi arriti të fitojë në shtesë 1-2, pas ndeshjes së parë të mbyllur 1-1 në “Imtech Arena”.

Deri në minutën 89 Hamburgu ishte në kategorinë e dytë, pasi vendasit udhëhiqnin 1-0 pas golit të Yabo, por ishte minuta e fundit e takimit, e cila shpëtoi ekipin e Labbadias.

Marcelo Diaz ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi në hyrje të zonës, duke rifutur në lojë Hamburgun. Koha e rregullt u mbyll me rezultatin 1-1, po aq sa kishte dalë edhe ndeshja e parë dhe për të përcaktuar fituesin ishte e nevojshme të luheshin edhe 30 minutat e shtesës.

Ndeshja vazhdoi me një lojë të barabartë dhe u duk se do të ishin penalltitë që do të përcaktonin ekipin që do të luajë në Bundesligë në sezonin e ardhshëm, por në minutën e 115, Nicolai Muller shënoi golin e dytë për Hamburgun duke e mbajtur ekipin e tij edhe për sezonin e ardhshëm mes më të mirëve në Gjermani.

Top Channel