Gazmend Demi në “Procesin Sportiv”, analiza e sezonit, largimi i Duros, akuzat për tolerim dhe “shtëpia” e re e Partizanit…

02/06/2015 00:00

Partizani si një emër i madh i futbollit shqiptar e fillon çdo sezon me pritshmëritë më të larta, nga titulli kampion, fitimi i kupës e më pas synimet në zonën e Europës.

Të rikthyer me euforinë e investimeve të mëdha që u bënë, të kuqtë kryeqytetas e mbyllën këtë sezon në vendin e tretë, që do të thotë pjesëmarrje në kupat e Europës. Por, pavarësisht konsiderimit si arritje, për presidentin Gazmend Demi ky vit ka qenë pjesërisht i suksesshëm.

“I suksesshëm, por jo aq sa duhet. Të jem i sinqertë, unë e besoja se Partizani mund të ishte kampion këtë vit, por rezultatet treguan se Korça ishte më e mira”, shprehet presidenti i Partizanit.

Në prag të kupave të Europës, Partizani mbetet pa trajner, pasi Duro vendosi të jepte dorëheqje, duke konfirmuar një klimë jo dhe aq të qetë brenda klubit.

“Ishte një kompromis me Duron për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë. Kuptohet që unë jam presidenti dhe i shikoj edhe rregullat e reja. Unë synoj që ecuria e ekipit të jetë sa më e mirë. Pas një bisede me Duron, ai dha dorëheqjen dhe unë e pranova, pasi është në karakterin tim që jashtë dëshirës trajnerit, apo edhe të lojtarëve, t’i mbaj ata në ekip. Skema trajner-menaxher të Duro mendoj se nuk më shkoj ashtu siç duhet. Me të mirat e të këqijat e të dyve, themi se kemi bërë një bashkëpunim të mirë”.

Koha e shkurtër për fazën përgatitore për kupat e Europës kufizoi zgjedhjet e drejtuesve të skuadrës dhe drejtori i përgjithshëm, Sulejman Starova, vendosi të bëjë hapin përpara. Nisur edhe nga fakti i njohjes së ekipin më mirë se kushdo trajner i ri që mund të zgjidhej.

“Starova është drejtor i përgjithshëm i Partizanit dhe do të vazhdojë të mbajë këtë post. Starova për të mos e lënë ekipin në vakum e mori direkt përgjegjësinë. Kjo zgjedhje ishte dëshirë e tij dhe unë isha dakord. Ne patëm një mbledhje me Duron para se ai të jepte dorëheqjen për sezonin e ardhshëm dhe për kupat e Europës dhe ku ramë dakord për një bashkëpunim më të mirë dhe Starova do të kishte edhe pjesë teknike, të paktën për periudhën e Europa League. Ai mori iniciativën dhe më impresionoi me korrektesën e tij, pasi në fund të fundit ai e kishte një post dhe mund të merrnim edhe një tjetër trajner. Tashmë jam i qetë që puna do të vazhdojë sërish brenda shtëpisë. Ai e njeh më mirë se kushdo tjetër grupin”, shprehet Demi.

Ardian Cuculi, një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit dhe sigurisht edhe të Partizanit, është emri i parë që zyrtarizon largimin. Ndërkohë që në mbyllje të zezonit ishin disa lojtarë të Partizanit për të cilët ishte shfaqur interes edhe nga skuadrat e huaja. Presidenti Demi shprehet se dera është e hapur për këdo që ka dëshirë të largohet.

“Nuk ka ndodhur asgjë me Cuculin. Ai ka edhe një vit kontratë me ne. Ai ka një problem familjar. Unë nuk kam dëshirë të mbaj lojtarë me forcë nëse ata nuk e kanë në zemër bluzën e Partizanit. Deri tani asnjë lojtar nuk ka kërkuar largimin nga Partizani, edhe ata që nuk kanë kontratë. Do rishkruajmë kontratat duke filluar nga Raçiç. Edhe me Amir Rrahmanin ka një marrëveshje dhe besoj se këto ditë do të takohemi me të dhe do të vendosim për të ardhmen”.

Megjithatë, si rrallë ndonjëherë tifozëria e Partizanit, veç mbështetjes në çdo rreth e në çdo situatë të skuadrës, ka pasur momente kur e ka kontestuar fort atë, duke aluduar për tolerime apo implikime, si në ndeshjen e kupës kur u eliminua nga Laçi. Ndërkohë për ndeshje Flamurtari-Partizani, skuadra vlonjate ka dërguar një dosje në Prokurori, ku akuzon për implikim lojtarë të skuadrës së kuqe në atë ndeshje.

“Unë i jap gjithmonë të drejtë tifozëve, por ndonjëherë edhe ata nuk kanë të drejtë. Ata nuk duhet të flasin shumë pa menduar. Nga që kishim shumë mundësi për t’u shpallur kampion dhe mbas Laçit kishim një ndeshje shumë të vështirë, ndoshta nuk bëmë më të mirën me idenë se kishim fituar ndeshjen e parë dhe hodhëm në lojë disa djem të rinj. Ajo ka qenë një ndeshje e vështirë dhe Laçi ka fituar në shtesë. Unë nuk e kuptoj se ku janë këtu implikimet. Laçi është një ekip i mirë dhe këtë e tregoi edhe tani në fund duke fituar kupën. Të jem i sinqertë e kam dëgjuar, por nuk e di se çfarë janë këto çështje të hapura në Prokurori dhe akoma se kam kuptuar se për çfarë ndeshje bëhet fjalë. Vlonjatët deshën t’i thyejnë këmbët Fazlliut, aq e egër u bë ndeshja. Sinqerisht nuk arrij ta kuptoj këtë çështje”, shprehet presidenti i Partizanit.

Ndërkohë që Partizani mbetet një ndër emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar, ashtu mbetet edhe një skuadër pa shtëpi. Prej shumë muajsh është folur për krijimin e një kompleksi, por ende asgjë konkrete. Këtë herë presidenti Demi thekson se gjërat kanë një predispozitë për t’u mbyllur një herë e përgjithmonë me sukses.

“E gjithë struktura jonë po punon për një Partizan siç i takon këtij emri. Mendoj se zgjidhjes i ka ardhur fundi dhe ishalla nuk dal gënjeshtar, që brenda një kohe të shkurtër të hapen themelet. Do të jetë një kompleks modern, ku unë them se do të konkurrojë edhe në Ballkan. Do të jetë një akademi me fusha dhe të gjitha kushtet; do të jetë një qendër edukimi, pasi do të ketë nga fëmijët e vegjël dhe deri tek të rinjtë”, përfundon Gazmend Demi.

Top Channel