Real, konfirmohet Benitez. Spanjolli bën gati listën

31/05/2015 00:00

Real Madrid është në një proces tranzicioni. Largimi i Ancelottit ka lënë shumë pikëpyetje, që pritet të marrin fund ditët në vazhdim. Rafa Benitez pritet që të jetë trajneri i ri, tashmë është konfirmuar edhe nga vetë zv/presidenti i skuadrës, Eduardo de Blas.

“Ancelotti është një fenomen, deri para tre ditësh ishte trajneri më i mirë në botë, ashtu siç ka qenë për dy vite Jose Mourinho, ndërsa ashtu siç do jetë nga java e ardhshme Rafa Benitez”,- është shprehur ai.

Mediet spanjolle kanë raportuar edhe për numrin dy në stolin e “galaktikëve”. “Marca” ka njoftuar se Fernando Morientes do jetë dora e djathtë e Benitez te Reali. Ish-sulmuesi dhe trajneri kanë qenë bashkë në Liverpool dhe që nga atëherë janë miq shumë të mirë.

Rafa është duke përgatitur edhe listën për merkaton e verës. Reali kërkon me patjetër trofe sezonin e ardhshëm, prandaj do të plotësojë dëshirat e spanjollit.

Benitez është njëri nga trajnerët të cilët bën rotacione në skuadër, maniak i detajeve taktike, pasi ai mendon se çdo ndeshje është e ndryshme nga tjetra dhe kërkon një përgatitje tjetër. Për shkak të kësaj, ai do kërkojë një skuadër me më shumë lojtarë se që kishte Ancelotti.

I pari në listën e Bentiez është Arturo Vidal. Kiliani pëlqehet shumë nga spanjolli për shkak të agresivitetit dhe fuqisë që ka. Me largimin e Khedira-s dhe me hedhjen poshtë të fjalëve se Pogba është në planet e Realit, Vidal pritet të jetë njëri nga lojtarët që do zbarkojnë në “Bernabeu”.

Pas tij, është Marco Verrati. Italiani ka qenë i jashtëzakonshëm këtë sezon, duke ngjallur interesimin e shumë skuadrave, përfshirë edhe Barcelonën e Bayern-in. Madje, Luis Enrique ka thënë hapur që e dëshiron në skuadër, si zëvendësim për Xavin. Benitez e di se loja e Realit mund të ngrihet në një tjetër nivel me italianin shtat shkurtër.

Top Channel