Barça ngre Kupën e Mbretit, Messi shkëlqen sërish. Ndaj Bilbaos 3-1

31/05/2015 00:00

Triumf “blaugrana” dhe një mesazh bashkëngjitur për Juventusin: Messi & Co synojnë me vendosmëri “tripletën”, e cila prej mbrëmjes së të shtunës duket më pranë, falë suksesit të arritur në finalen e Kupës së Mbretit, e 27-a për katalanasit në histori, e njëkohësisht duke qenë të parët për numrin e këtyre trofeve.

Një tjetër shfaqje fantastike e ofruar nga të besuarit e Luis Enriques, të cilët kaluan në avantazh falë një supergoli të “pleshtit” argjentinas, madje dominuan në çdo aspekt ndeshjen të paktën për 60 minutat e para. Festë edhe për Neymar, i cili siguron kështu trofeun e “golashënuesit më të mirë” të turneut, me 7 gola, edhe pse në kuotë të barabartë me Iago Aspas. Në fund, edhe një gol “nderi” për baskët e Athletic Bilbaos, nga Williams.

Sigurisht, në një sukses të tillë nuk mund të mungonte edhe një koreografi spektakolare përpara nisjes së takimit nga tifozët e pranishëm në stadium, dy tifozeri rivale për sa luhej në fushë, por të bashkuara nën flamurin e pavarësisë nga Spanja, të cilët kanë fishkëllyer himnin spanjoll.

Por, kujdes! I njëjti formacion që zbriti në “Camp Nou” pritet me shumë mundësi të zbresë edhe në Berlin, të shtunën e ardhshme kundër Juventusit, përfshi edhe Suarezin, i cili mori “ok”-in e mjekëve pas problemeve muskulare të 10 ditëve të fundit.

Në fund, edhe një “shqetësim” për katalanasit, pasi Iniesta u duk i shqetësuar nga një problem muskular, ndaj dhe Enrique e zëvendësoi si masë përkujdesjeje duke aktivizuar Xavin, në atë që shënoi edhe ndeshjen e tij të fundit në “Camp Nou”-n aq shumë të dashur, përpara lamtumirës së deklaruar më herët.

Top Channel