Blatter fitoi, por a do rezistojë?

29/05/2015 00:00

Skandali i korrupsionit që ka përfshirë hierarkinë më të lartë të FIFA-s, tronditi mbështetjen e Sepp Blatter, por ato nuk mjaftuan që ai të mos rizgjidhej President i FIFA-s për të pestën herë me radhë.

Pyetja që shtrohet pas këtij procesi, është sesa kohë do të rezistojë? Të paktë janë ata që besojnë se koloneli zviceran në pension, do të arrijë të sundojë deri në vitin 2019, atëherë kur i mbaron mandati.

Opozitarët janë shtuar, duke nisur që me Platininë, që doli hapur kundër tij dhe i kërkoi dorëheqjen. Por në këtë front nuk qëndrojnë vetëm federata apo njerëz të futbollit. Aleanca anti-Blatter së fundmi është zgjeruar edhe me shtete të fuqishme e politikanë.

Anglia, Holanda e Franca duan ‘kokën e tij’.  Ajo që duket se e bën të pashmangshëm largimin parakohe të Blatter lidhet me akuzat e korrupsionit, që kanë shpërthyer që prej 5 vitesh, e që kulmuan këtë javë me arrestimin nga ana e FBI-së të 7 drejtuesve kryesorë të FIFA-s.

Akuzat kapën pikun me vendimet për dorëzimin e dy botërorëve të ardhshëm, atë të 2018-ës në Rusi dhe pasaardhësin, atë të 2022 në Katar. Britanikët, amerikanët e australianët janë përpjekur me çdo kusht të provojnë akuzat e korrupsionit në brendësi të FIFA-s, dhe vështirë se do të ndalen edhe pas rizgjedhjes së zviceranit.

Sigurisht është ende herët për të folur dhe një panoramë më e qartë mund të krijohet pas disa muajve, por ajo që është e sigurtë tani për tani është që Blatter nuk është më i besueshëm, as brenda dhe as jashtë FIFA-s.

Top Channel