Trajneri Shpëtim Duro largohet nga Partizani

29/05/2015 00:00

Rikthimi në Europë pas plot 7 vitesh dhe dominimi në derbi ndaj rivalëve të përjetshëm të Tiranës këtë sezon, nuk i kanë siguruar Shpëtim Duros vazhdimësinë në krye të stolit të Partizanit.

Trajneri njoftoi këtë të premte dorëheqjen zyrtarisht. Largimi i 55-vjeçarit është finalizuar pas një bisede me Presidentin e klubit.

“Ishte një vendim shumë i vështirë për t’u marrë nga ana ime, pasi po largohem nga klubi im i zemrës. Në orët e para të mëngjesit pata një takim me presidentin e Partizanit, Gazmend Demi, që zgjati reth 1 orë e 30 minuta, ku diskutuam për shumë gjëra, dhe në fund arritëm në këtë vendim”, deklaroi Duro.

Ai falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij, futbollistët dhe tifozët, ndërsa sa i përket së ardhmes, nuk zbuloi shumë detaje, por deklaroi se mbetet i hapur për të dëgjuar çdo ofertë të mundshme.

Nën drejtimin e tij, Partizani u rendit i treti në Kategorinë Superiore, fill pas Skënderbeut dhe Kukësit e duke lënë pas Tiranën, me 22 fitore, 7 barazime dhe 7 humbje. Me largimin e Shpëtim Duros, drejtimin e skuadrës do ta marrë Sulejman Starova, drejtori teknik i Partizanit.

Top Channel