Të arrestuarit e FIFA-s, drejt ekstradimit në SHBA: Është çështje muajsh

29/05/2015 00:00

Do të jetë thjesht çështje muajsh, përpara sesa 7 zyrtarët e lartë të FIFA-s, të arrestuar në Zvicër në prag të Asamblesë së Përgjithshme për të zgjedhur presidentin e ri, të mund të ekstradohen drejt Shteteve të Bashkuara, ku përballen me akuza për korrupsion, bënë të ditur ekspertë ligjore zviceranë këtë të premte.

Personat, të cilët janë të gjithë nga Amerika Latine dhe rajoni i Karaibeve, janë duke u mbajtur në paraburgim në disa qendra të pazbuluara, pas arrestimit të tyre në një hotel luksoz të Zyrihut, ditën e mërkurë. Lëvizja e fundit e policisë shkaktoi një valë shokuese me kritika ndaj trupës qeverisëse të futbollit botëror, përfshi këtu edhe nga vetë sponsorët më të fuqishëm.

Të 7 të arrestuarit kanë kundërshtuar ekstradimin, por bazuar mbi traktatin dypalësh Zvicër-SHBA, procedurat janë të drejtpërdrejta, edhe nëse të akuzuarit e ruajnë të drejtën për të apeluar gjatë shqyrtimit, thonë ekspertët.

“Që prej momentit të arrestit, deri në vendimin përfundimtar ligjor për t’u zbatuar, mund të duhen ndoshta deri në 2 muaj për ekstradimin e tyre, pra shumë pak muaj, nëse nuk do të ketë çështje ligjore tepër komplekse. Sigurisht nuk do të duhen vite”, thotë Peter Cosandey, një avokat nga Zyrihu dhe ish-prokuror i këtij qarku, për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Në total, autoritetet amerikane të drejtësisë kanë akuzuar 9 zyrtarë të lartë, si dhe 5 ekzekutivë të marketingut sportiv, të gjithë me akuza federale për korrupsion, e nëse i detajojmë akuzat, bëhet fjalë për shantazh, rrjet mashtrimi dhe komplote për pastrim parash.

Në Zvicër, nëse një person arrestuar për shkak të një urdhërarresti të huaj, përballet me ekstradimin, ndaj dhe nisin menjëherë procedurat për ekstradim. Shtetet e Bashkuara duhet ende të bëjnë kërkesë zyrtare për këtë gjë, brenda një afati 40-ditor. Më pas, Zyra Federale zvicerane e Drejtësisë do të vendosë nëse do ta lëshojë urdhrin për ekstradim apo jo, i cili mund edhe të sfidohet në nivelet më të larta. Një Gjykatë Federale do të vendosë më pas, nëse të akuzuarit do ta apelonin vendimin e parë.

Një avokat zviceran nga kryeqyteti Bernë, i cili merret kryesisht me çështje ndërkombëtare, thotë se “ekstradimi zakonisht kryhet shumë shpejt. Është çështje muajsh, edhe në rast se do të kundërshtohet si vendim”.

Në të njëjtën ditë me ekzekutimin e urdhërarresteve të FBI-së, autoritetet zvicerane kanë hapur një hetim penal më vete, duke hetuar kështu përcaktimin e dy edicioneve të radhës të Botërorëve, Rusi 2018 dhe Katar 2022. Por, meqë këto dy çështje nuk përfshijnë të njëjtët persona, hetimi zviceran nuk pritet të ndërhyjë në ekstradimin e 7 zyrtarëve të lartë.

Top Channel