Platini: I kërkova Blatterit të japë dorëheqjen

28/05/2015 00:00

Numri një i UEFA-s Michel Platini, ka zbuluar një bisedë me kryetarin e FIFA-s Sepp Blatter, pas ngjarjeve të ditëve të fundit, ku u arrestuan shtatë zyrtarë të federatës botërore të futbollit.

Francezi ka thënë se i ka kërkuar Blatterit që të dorëhiqet, pasi ai është duke i dhënë një imazh të keq FIFA-s. Sipas tij, zvicerani ka bërë punë të madhe në krye të këtij institucioni, por tani ka ardhur koha që dikush tjetër të marrë drejtimin e FIFA-s.

“I kërkova Sepp Blaterit që të largohej, të tërhiqej sepse është duke i dhënë një imazh të keq FIFA-s. Nuk është aspak e lehtë t’i thuash një miku se duhet të largohet, por për mënyrën si kanë shkuar gjërat kjo duhet të ndodhë. E them me keqardhje, me lot në sy, por kanë ndodhur shumë skandale”, – është shprehur Platini.

Ai ka treguar se ka pasur një takim me 54 përfaqësuesit e federatave anëtare të UEFA-s dhe ka paralajmëruar se vota e tyre do shkojë për Princin Ali, si rivali i vetëm i Blatterit në këto zgjedhje.

“Sot (e enjte) kishim një takim me përfaqësuesit e federatave anëtare. Nesër (e premte) kur do mbahen zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, një numër i madh i federatave europiane do të votojnë për Princin Ali. Njerëzit nuk e duan Blatterin më, në të vërtetë as unë se dua më”,- ka vazhduar francezi.

Platini ka pranuar se ka disa federata europiane që nuk janë të bindura për Princin Ali, por ai është duke bërë të pamundurën për t’i bindur se ai është njeriu i duhur për të marrë drejtimin e FIFA-s.

Top Channel