Skandali i FIFA-s shqetëson sponsorët; futbolli në ditët më të errëta

28/05/2015 00:00

Sponsorët kyç të FIFA-s kanë shprehur “shqetësime serioze” pasi Shtetet e Bashkuara akuzuan zyrtarët më të vjetër të organit që qeveris futbollin për zhvatje, evazion dhe pastrim parash.

Kompani kyçe si “Adidas”, “Coca-Cola”, “Visa”, “Sony”, “Gazprom” dhe “Hyundai/KIA” janë përballur me kërkesa të shumta për t’i bërë presion FIFA-s pas zbardhjes së skandalit.

“Coca-Cola” deklaroi se eventi madhështor i Kupës së Botës “ka humbur shkëlqimin” prej kohësh si pasojë e kontesteve që zgjasin prej vitesh.

“Ky kontest ka errësuar misionin dhe idealet e Kupës së Botës dhe ne vazhdimisht kemi shprehur shqetësimin tonë për këto dyshime serioze”, tha kompania e pijes më të konsumuar në botë.

Ndërsa “Adidas” u shpreh tërësisht e angazhuar për krijimin e një kulture që promovon standardet më të larta të etikës dhe pajtimit dhe se pret të njëjtën gjë nga partnerët e saj.

Gjigandi i kartave të kreditit tha: “Zhgënjimi dhe shqetësimi ynë pas zhvillimeve të fundit është i thellë. Ne presim që FIFA të ndërmarrë hapa të shpejtë e të duhur për të adresuar problemet”.

Edhe “McDonald’s”, sponsor i kategorisë së dytë, deklaroi se zhvillimet e fundit janë “jashtëzakonisht shqetësuese”, por shtoi se është në kontakt me FIFA-n, duke monitoruar situatën.

Shtatë zyrtarë të lartë të FIFA-s u arrestuan të mërkurën në Zyrih, ndërsa ndaj 14 personave të tjerë u ngritën padi.

Ndërsa organi që qeveris futbollin evropian, UEFA, pritet të mblidhet më vonë për të vendosur nëse të bojkotojë ose jo votimin e së premtes për presidencën.

Ditën e mërkurë FIFA njoftoi një vendim të përkohshëm që parashikon ndalimin e përfshirjes në aktivitete sportive të 11 nga personat e akuzuar nga SHBA.

Por nga ana tjetër, votimi i së premtes, në të cilin presidenti Sepp Blatter do të kërkojë mandatin e pestë, do të mbahet.

Zoti Blatter, emri i të cilit nuk rezulton në hetime, shpërndau një deklaratë lidhur me arrestimet ku thuhej: “Këto veprime nuk kanë vend në futboll dhe ne do të sigurohemi që personat e përfshirë në këto aktivitete të dalin jashtë loje”.

Edhe prokurorët zviceranë kanë hapur gjithashtu hetime lidhur me ofertën për zhvillimin e Kupës së Botës në vitin 2018 në Rusi dhe në vitin 2022 në Katar.

Top Channel