Arrestimet, Blatter nuk jep dorëheqjen. FIFA: Zgjedhjet, sipas planit

27/05/2015 00:00

Pas arrestimeve të së mërkurës, FIFA ka mbajtur një qëndrim zyrtar në lidhje me ngjarjen. Walter de Gregorio, zëdhënës i këtij institucioni, ka thënë se do të bashkëpunojnë me autoritetet amerikane, pasi në këtë mënyrë do të pastrohet imazhi i FIFA-s, ndërsa ka konfirmuar se zgjedhjet presidenciale do të mbahen sipas planit.

“Të gjithë do të bashkëpunojmë me drejtësinë amerikane për ta zbardhur sa më shpejt këtë çështje. Ne jemi të interesuar që të pastrohet imazhi i institucionit nga të gjitha këto akuza. Momentalisht nuk mund të japim detaje për këtë aksion të drejtësisë sepse ende janë duke u zhvilluar hetimet. Dua të theksoj se zgjedhjet për presidentin e ri do të mbahen sipas planit, pasi hetimet nuk kanë aspak lidhje me këtë gjë”, është shprehur Gregorio.

Zëdhënësi i FIFA-s ka bërë të ditur se kryetari aktual i këtij institucioni, Sepp Blatter, që synon mandatin e pestë më 29 maj, nuk do të japë dorëheqjen, pasi ai nuk është i përfshirë në këtë çështje, njëjtë sikurse edhe Botërori i 2018-s dhe 2022-tës që do mbahen në Rusi dhe Katar.

“Blatter nuk do të japë dorëheqje, sepse nuk është i përfshirë në këtë çështje dhe, rrjedhimisht, nuk ka arsye pse ta bëjë këtë gjë. Ai është i qetë dhe vazhdon punën për organizimin e Kongresit. Sa i përket Botërorit të vitit 2018, ai do të mbahet në Rusi, njëjtë sikurse do mbahet në Katar më 2022-n. Hetimet nuk kanë lidhje me këto aktivitete që i organizojmë ne”, shtoi Gregorio.

Sepp Blatter vazhdon të akuzohet nga njerëz të ndryshëm në botën e futbollit për mungesën e transparencës dhe shkallën e lartë të korrupsionit në FIFA, prandaj refuzimi për të mbajtur përgjegjësi për këtë rast mund të shkaktojë një tjetër revoltë në botën e futbollit.

Top Channel