Akuzat e Sinan Idrizit, reagon FSHF: Flamurtari po hetohet që prej ardhjes së tij

26/05/2015 00:00

Deklaratat e ashpra kundër Federatës Shqiptare të Futbollit dhe akuzat e hedhura mbrëmjen e së hënës në emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel nga administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, kanë ngjallur reagimin zyrtar të Federatës.

“Prej disa kohësh nga ana e këtij personi, jashtë çdo lloj etike zyrtare dhe qytetare, janë lëshuar akuza ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit dhe komisioneve Juridike të saj. Pa asnjë bazë dhe mbështetur në dy kolona, haluçinacionin dhe fjalorin vulgar, ky zyrtar i klubit Flamurtari ka ndërtuar një serial me shpifje dhe akuza, të cilat nuk mund të errësojnë të vërtetën dhe të zbehin sadopak punën e komisioneve dhe FSHF në përgjithësi. Sidomos, në një edicion si ky që sapo u mbyll, i cili është pranuar në mënyrë plebishitare nga opinion dhe media, si mjaft i suksesshëm. Ndoshta, dështimet e Flamurtarit nga të gjitha objektivat e tij në këtë edicion, të pompuara pikërisht nga administratori i klubit, kërkojnë të mbulohen duke sulmuar institucionin e futbollit. Dielli nuk mbulohet me shoshë. Në futboll fitohet në fushën e lojës, dhe jo në hapësirat mediatike apo duke formuluar akuza të paqena mbushur me fjalor banal”- nis reagimi i FSHF-së.

Federata thotë se ka bërë të qartë qëndrimin e saj të vendosur në lidhje me luftën ndaj fenomenit te trukimit të ndeshjeve dhe jep versionin e saj për rastin e denoncuar nga Idrizi në Komisionin e Etikës.

“Është e vërtetë që administratori Sinan Idrizi, ka sjellë në Komisionin e Etikës kërkesën për hetuar ndeshje, por është po kaq e vërtetë, që zyrtarët e klubit të tij dhe ai vetë, nuk kanë bashkëpunuar për të treguar individë konkretë tek të cilët dyshojnë, dhe më mirë se ata, askush nuk mund të ndihmojë në këtë proces. Flamurtari, nuk ka qenë klub i dyshuar nga Komisionet e FSHF-së më parë, por pikërisht kohët e fundit, ai është shndërruar në një klub problematik, ku së fundmi erdhën edhe raporte nga UEFA “- shtohet më tej.

FSHF akuzon tërthorazi Sinan Idrizin për shitje ndeshjesh.

“Vetëm gjatë periudhës që ky person është në drejtimin e klubit, Flamurtari dyshohet për trukime ndeshjesh. E ndërsa Komisionet e FSHF, çdo javë kanë kryer hetime, pikërisht administrator Sinan Idrizi bërtet: Kapeni hajdutin! Po kush, e drejton klubin e Flamurtarit, administratori Sinan Idrizi apo Komisionet e FSHF?! Mos vallë, anëtarët e nderuar të Komisioneve, urdhërojnë ndonjë lojtar të Flamurtarit për të ndikuar në rezultat? Është një absurd, të cilin vështirë se mund ta besojë një njeri me arsye”- reagon qeveria e futbollit shqiptar.

Në fund FSHF, konfirmon qëndrimin e saj të prerë, se për Idrizin dhe këdo tjetër që shkell etikën, do të zbatohen të gjitha sanksionet që parashikohen në rregulloren e futbollit.

Top Channel