Stadiumi i Flamurtarit me mbulesë të njëjtë me atë të “Allianz Arena”-s

26/05/2015 00:00

Në intervistën e tij në “Procesin Sportiv”, administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi foli edhe për infrastrukturën dhe projektin për stadiumin e ri.

Ajo që bie në sy për mirë te kjo skuadër, mes rezultateve dhe paraqitjeve zhgënjyese, është rikonstruktimi i tribunës qendrore. Një investim që stopoi me miratimin dhe investimin e vënies në jetë të projektit madhor për stadiumin e ri.

“Më tepër se impenjimi i qeverisë aktuale në projektin “Vlora Sport”, kemi marrë vendimin në ndërtimin e stadiumit të ri. Pa dashur të bëjmë reklamë dhe detaje. Ne nuk do të jemi si ata që mbajnë përgjegjësi prej 10 apo 15 vjetësh se do të ndërtonin stadiumin “Qemal Stafa” dhe e kanë ndërtuar në letër dhe makete. Do të kemi dy veçori të këtij stadiumi. Ai do të jetë në një pyll vertikal, me një mbulesë të tipit ETFE, e njëjta me atë të “Allianz Arena”-s”, shprehet Idrizi.

Megjithatë grupi shqiptaro-turk që ka marrë përsipër projektin “Vlora Sport”, veç infrastrukturës ka synimin e tij për një tjetër mënyrë funksionimi të sportit, vazhdimësinë e mbështetjes.

Vazhdimësinë e këtij projekti e konfirmon edhe një nga drejtuesit e këtij grupi, zoti Murat Ersoy.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim skuadrën. Investimet tona do të vazhdojnë të vijojnë edhe më shumë dhe besoj se do të jemi të suksesshëm”, u shpreh Ersoy, presidenti i “Atlas Jet”.

Ndërkohë, aksionarja tjetër e grupit shqiptaro-turk, Nerve Korkmaz, theksoi gjithashtu mbështetjen dhe vazhdimësinë e investimeve.

“Gabuam në investimin njerëzor, te lojtarët. Falenderojmë tifozët që na qëndruan pranë. Ne nuk lëkundemi në rrugën tonë, do të vazhdojmë deri në fund”, tha Korkmaz.

Ndryshe nga viti i shkuar, drejtuesit e Flamurtarit po mendojnë për ristrukturimin e të rinjve dhe skuadrave zinxhir të klubit.

“Problemi jonë më i thjesht është, që unë me të vërtetë dua të ngre zërin, është tallja që ne bëjmë me grup-moshat. Kjo është fatkeqësi, të paktën për Vlorën, ku janë rreth 1000 fëmijë që stërviten në klube të ndryshme. Me apo pa vetëdije ne u djegim jetën këtyre fëmijëve me idenë se do t’i bëjmë profesionistë në futboll dhe në fund fare nuk prodhojmë, ky është problemi ynë”, u shpreh Idrizi.

FOTO GALERI
1/2
Projekti për stadiumin Flamurtari

Top Channel