Administratori i Flamurtarit: I zhgënjyer me Dukën, e konsideron FSHF-në si çiflig të trashëguar

26/05/2015 00:00

I ndërtuar në pak kohë, por me shumë bujë, Flamurtari i sezonit 2014-2015 kishte emra të mëdhenj në letër, por në fushë gjerat nuk shkuan sipas planeve.

Administratori i klubit, Sinan Idrizi, theksonte se synimi i grupit të ri që menaxhonte Flamurtarin ishte përtej skuadrës së futbollit dhe lojtarëve, por gjendja në klub shkoi edhe më keq. Rezultatet në fushë për drejtuesit ishin pasojë e rrjedhojave të ndryshme. Për këtë arsye Idrizi vendosi që në muajin nëntor, tre muaj pas fillimit të sezonit, se investimi te lojtarët e afruar ishte gabimi kryesor. Nga aty filluan edhe largimet e disa nga emrat më kryesorë: Muzaka, Mici, Dagllas, Meto, Krasniqi, Xhilberto e Gilman Lika.

“Me emrat e mëdhenj isha në vend të 6, por sërish jam në vend të 6. Këta tigra prej letrash që ne na u vetofruan si emra super të mëdhenj, nuk patën në fushë atë pritshmëri që ne prisnim të gjithë së bashku. Lojtarët menduan se Flamurtari do të ishte një bankomat i prishur që vetëm paguante. Nëse ju kërkoni një klub me një jetë të shthurur. Lojtarët e t’u në orën e natës të jenë klubeve, duke u argëtuar me forma nga më të ndryshmet, te mua nuk kanë vend. Nëse ky është fanatizëm, atëherë është një tjetër problem”, u shpreh Sinan Idrizi, administrator i klubit të futbollit Flamurtari në “Procesin Sportiv” në Top Channel.

Një president futbolli e dërgon skuadrën e tij në Prokurori për dyshime për shitje apo tolerime ndeshjesh. Dyshimet në të vërtetë kanë mbërritur nga UEFA dhe jo vetëm nga thashethemet. Në një ekstrakt të raportit të muajit mars të UEFA-s, për portierin e skuadrës vlonjate që flet për ndeshjen Kukësi-Flamurtari është ky: Ka pasur dyshime të mëdha për baste të vendosura gjatë ndeshjes që Flamurtari të humbasë me 2 ose 3 gola. Veç kësaj ka pasur baste që do të shënohen 2 ose 3 gola. Nuk ka faktor logjik që mund të shpjegojë këto modele ekstreme bastesh dhe duke parë historinë e dyshimtë të Flamurtarit kohët e fundit, duket se ata me shumë dëshirë dhe qëllim humbën ndeshjen me diferencë të gjerë vetëm për të siguruar fitime nga bastet nëpërmjet mashtrimit. Për sa i përket veprimeve në ndeshje, portieri i Flamurtarit, Ilion Lika tregoi një reagim të dobët në disa nga golat në ndeshje. Ai rezulton në një numër të madh ndeshjesh të listuara dhe emri i tij është nënvizuar edhe në raste të tjera nga sistemi kundër mashtrimit me bastet.

“Nuk ka burrë nëne në Shqipëri që të akuzojë ekipin e Flamurtarit për tolerime. Ne jemi rrahur në Kukës 4-0. E dini ju sa lojtarë të akademisë kanë shkuar atje? 60% e ekipit kanë qenë lojtarë të akademisë. Nëse unë dyshoj në thashethemet që ekzistojnë në Shqipëri që  Flamurtari dhe lojtarët e tij tolerojnë ndeshje, unë marr hapin e parë dhe ekipin, bashkë me stafin ja vetofroj Prokurorisë së Shqipërisë për të vazhduar hetimet penale tashmë. Rezultati nuk është në dorën time. Sot kemi 4 muaj nga kjo ngjarje dhe Prokuroria nuk na ka thërritur më, përkundrazi. E ka marrë dosjen e ndeshjes Flamurtari-Partizani nga Vlora dhe e ka çuar në Durrës dhe që nga ky moment nuk na ka thërritur askush. Ne do t’i shkojmë deri në fund. Për këtë të jeni të sigurt. Edhe dje i kemi çuar letër Prokurorisë se ku janë rezultatet e hetimit të ndeshjes Flamurtari-Partizani. Unë nuk i kuptoj arsyet se pse nuk fillohen hetimet. Çfarë ka ndodhur? Cilët janë lojtarët e Flamurtarit të kontaktuar nga lojtarët e Partizanit, siç ne i kemi çuar në dosje. Aty janë deklaratat e dy lojtarëve tanë. Çuditërisht FSHF-ja e ka parë këtë dosje dhe asnjë nga 4 lojtarët e përfolur nuk është thirrur, por është thirrur Lika që nuk ka qenë fare në ndeshje. Para 3 muajve kam bërë një thirrje për të hequr ekipet shqiptare nga bastet, por deri tani nuk kam marrë asnjë përgjigje”, shprehet Idrizi.

Dënimi i Ilion Likës nga Komisioni i Etikës solli edhe irritimin dhe ashpërsimin e gjuhës nga administratori Idrizi ndaj anëtarëve të Komisionit. Nuk vonoi shumë dhe për këtë reagim pati një dënim prej 3 muajsh për moslejim të hyrjes në stadium të administratorit të Flamurtarit.

“Bëhet fjalë për deklaratën: Nuk marr leksione morale nga prostitutat. Nëse zotërinjtë frymorë të Komisionit të Etikës nuk e kuptojnë gjuhën metaforike ky nuk është problemi im. Katër anëtarët e Komisionit të Etikës, ku 2 nga ata janë juristë, ndërsa një pjesë e madhe janë me një të kaluar bolshevike. Nëse ata kanë kohë dhe probleme me literaturën i sugjerojë një libër të Marksit, “Prostitucioni në radhën e klasës punëtore. Unë deklaratës i qëndroj deri në fund, pasi për mua është prostitucion dhe mental madje. Nëse ti mendon se Flamurtari është ekipi që shet më shumë ndeshje në Shqipëri, atëherë për mua ky është prostitucion. Këta kanë mentalitetin “vdekje fashizmit, liri popullit”. Ti punon, robtohesh, investon dhe vjen dikush e të thotë shko se jam unë ai që vendos këtu. Zhgënjimi i madh drejtpërdrejt me presidentin e FSHF-së, i cili siç duket e mendon këtë institucion si një çiflig të trashëguar dhe e trajton marrëdhënien me presidentin e klubit Flamurtari si një marrëdhënie të ‘Djemve të rrugicës Pal”. Një marrëdhënie inati, revanshi . Ti më ngre zërin, unë s’të lejoj të hysh në stadiume. Kjo është historia që në Shqipëri duhet mbyll një herë e përgjithmonë. Respekt për institucionin, por mua nuk më mbyll askush dyert e stadiumeve në Shqipëri”, u shpreh presidenti i Flamurtarit në “Procesin Sportiv”.

Top Channel