Galliani, me mision drejt Madridit. Perez shkarkon Ancelottin

25/05/2015 00:00

Misioni i radhës i kuqezinjve ka nisur zyrtarisht, jo vetëm me fjalë mediatike. Vetëm pak pas mesditës, administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, është parë në Aeroportin e Linates në Milano, për t’u nisur me destinacion Madridin me synimin për të bindur Carlo Ancelottin të rikthehet, pas 6 viteve të kaluara jashtë Italisë, në pankinën e Milanit.

Madje, edhe një ditë më parë, përpara vigjiljes së takimit Milan-Torino për kampionatin italian, administratori kuqezi kishte rrëfyer se “nesër (e hënë) do të nisej drejt Madridit për një italian”. Ai është nisur dhe ka mbërritur tashmë, ndërsa në mbrëmje mund të takohet me Ancelottin. Ndërsa pas, në Milano, për gazetarët që e shoqëruan para se të nisej drejt Madridit, ka lënë të kuptohet se “në Madrid nuk do të shkoj vetëm për Carletton, por edhe për të tjera arsye”.

Edhe pse rikthimi i tij në krye të Milanit përfaqëson aktualisht dëshirën numër 1 të presidentit Silvio Berlusconi për të ardhmen e klubit, ky operacion përballet me një pengesë kryesore. Pak orë më parë ishin dy, duke përfshirë edhe dëshirën e Realit të Madridit. Ancelotti kishte një kontratë me “Los Blancos”-it deri në 2016-n, ndërsa klubi nuk kishte vendosur ende nëse do të vazhdonte me teknikun italian edhe për sezonin e ardhshëm, apo jo. Tashmë është bërë zyrtare: Reali e shkarkon Ancelottin, me justifikimin se ekipit i duhet një impuls i ri pozitiv. Së dyti, nuk duhet neglizhuar edhe vetë synimi i Ancelottit. Ai, gjatë mbrëmjes së të shtunës, pas ndeshjes së fundit në “Bernabeu”, është shprehur se “në kokën e tij e ka të qartë të ardhmen: ose qëndron te Reali, ose merr një vit pushim”. Ndaj dhe Galliani duhet të bëjë një “lojë psikologjike” për ta bindur.

Në Madrid ishte paralajmëruar prej orësh një ditë decizive kjo e sotmja. Pasdite rreth orës 18:00, presidenti Florentino Perez u takua me Carlo Ancelottin në selinë e klubit në një takim “kokë më kokë”, rezultat i të cilit ishte vendimi i shkarkimit, i cili u njoftua vetëm një orë më pas nga vetë presidenti i “galaktikëve”, që veç impulsit të ri, njoftoi se emri pasues i italianit do të mësohet brenda javës, në konferencën për shtyp me gazetarët.

Me të mbërritur në Madrid, Galliani shkëmbeu disa batuta me gazetarët spanjollë, që e prisnin në aeroport. “Ancelotti është një legjendë e Milanit. Por kam ardhur në Madrid për turizëm dhe ndoshta do të qëndroj deri nga shtatori. Do të vizitoj edhe Sevijen. Nëse më pëlqen Unai Emery (trajner i Sevijes)? Nuk e di, por meqë më pyetët, po preferoj të vizitoj Valencian (qesh). Bëj shaka, pasi më pëlqen jeta këtu në Madrid. Nëse kam folur apo jo me Ancelottin, nuk di ta them, sepse numri italian i telefonit nuk më funksionon këtu në Spanjë”.

Gjithsesi, pavarësisht humorit, Galliani nuk është larguar pa nënvizuar faktin se “me Realin dhe presidentin Perez kemi marrëdhënie shumë të mira. Kam shumë miq te Reali, por nuk dua të përgjigjem nëse më pëlqen Ancelotti apo Emery”.

Top Channel