Barcelona, Alves drejt largimit: Meritoj më shumë respekt

25/05/2015 00:00

Barcelona e këtij viti duket si një “makineri” perfekte, por duket se gjërat nuk shkojnë edhe aq mirë brenda klubit.

Dhe ai që flet është Dani Alves, edhe pse fillimisht përpiqet të fshehë gjithçka, teksa shprehet se përpara janë edhe dy finale për t’u luajtur e për t’u shijuar me fanelën e “blaugrana”-ve, ndërsa vetëm pas 45 minutash hidhet në sulm ndaj drejtuesve të Barças, duke i akuzuar për “keqtrajtim” dhe për “mosrespektim”.

“Deri përpara 6 muajsh nuk donin të më rinovonin kontratën. Më pas, kur erdhi vendimi i FIFA-s, i cili u ndalonte të bënin blerje në merkato, erdhën dhe më kërkuan të firmosja, e për më tepër me kushtet e tyre. Megjithatë, bazuar mbi gjithçka kam dhënë për Barcelonën, besoj se meritoj më shumë. Këtu nuk e kam fjalën për parà, por për respekt”, është shprehur mbrojtësi anësor brazilian.

Dani Alves aktivizohet te katalanasit prej 7 sezonesh, ndërsa kontrata aktuale i skadon më 30 qershor.

“Nuk kam ardhur këtu për të luajtur ‘bingo’, por për t’u mbrojtur, sepse gjatë këtyre javëve janë thënë shumë gjëra të këqija për mua. Çdo gjë e ka një limit dhe kam ardhur t’u vë fre atyre që thuhen për mua. Edhe pse preferoj të mos flas për gjëra që më bashkojnë me dikë, janë disa të tjerë që nxjerrin në publik informacione”, thotë më tej ai.

Një kritikë e ka edhe për presidentin Bartomeu dhe njerëzve përreth tij. “Situata e tanishmë është e njëjta me atë të 30 qershorit të një viti më parë. Fakti që nuk është më Zubizarreta nuk ka ndryshuar asnjë gjë, sepse edhe kur ishte ai nuk ishte se më bënë ndonjë ofertë madhështore”.

Por, mbrojtësi i djathtë nuk ka preferuar të shprehet konkretisht për ndonjë largim të mundshëm, madje as për destinacionin e ardhshëm. Ka përjashtuar vetëm Parisin, duke e përshkruar kështu situatën e tij të tanishme.

“Sa i përket skuadrës, jam i përfshirë 200%. Kemi dy finale përpara për të luajtur dhe dua t’i fitoj të dyja. Jam tërësisht i përqendruar. Por sa i përket klubit, jam i përfshirë vetëm 10%, apo le të themi se kam futur vetëm një këmbë e gjysmë, ndërsa koha dhe trupi janë jashtë Barcelonës. Gjithsesi, nuk kam marrë asnjë vendim përfundimtar. Presidenti e di çfarë duhet të bëjë, nëse do që unë të qëndroj. Zgjedhjet? Nuk më interesojnë aspak, por nuk mund ta lë të ardhmen time në duart e të tjerëve. Vendimet për mua i marr unë. Nuk mund të pres nëse fiton ndonjë kandidat, vendimi për qëndrimin tim duhet të merret përpara”, shprehet Dani Alves.

Top Channel