F1, Rosberg fiton në Monako. Vettel dhe Hamilton plotësojnë podiumin

24/05/2015 00:00

Lewis Hamilton dhe “Mercedes” i dhurojnë Nico Rosberg-ut fitoren në Çmimin e Madh të Monakos, e dyta radhazi për gjermanin gjatë këtij sezoni.

Gjithçka ndodhi në xhiron e 64-t pas incidentit Max Verstappen-Grosjean. Makina e sigurisë hyn në pistë ndërkohë që Hamilton, i cili kryesonte garën deri në ato momente dhe nuk pati asnjë problem me makinën, thirret nga drejtuesit e skuadrës në “pit stop” për të ndërruar gomat. Por vonesa në bokse i kushtoi britanikut, i cili nuk arriti dot më pozicionin e mëparshëm, duke mbetur pas Rosberg dhe Vettel dhe duke e mbyllur garën në vendin e tretë.

Për Nico Rosberg, kjo është fitorja e tretë radhazi në pistën e Monakos dhe hyn në listën e 5 pilotëve që e kanë fituar më shumë këtë garë.

Me triumfin në principatë, Nico Rosberg e çon në 10 diferencën me kryesuesin Lewis Hamilton, i cili pavarësisht se është në një skuadër me të, ka treguar se është një nga rivalët e tij më të fortë këtë sezon.

Në renditjen e konstruktorëve vazhdon dominimi i “Mercedes”, skuadër që ngjitet në kuotën e 242 pikëve, 84 pikë më shumë se “Ferrari” i vendit të dytë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel