Skënderbeu vendos rekord, ngre titullin e pestë radhazi

22/05/2015 00:00

Askush si Skënderbeu në futbollin shqiptar. Korçarët ngritën lartë trofeun e pestë radhazi, një sukses i jashtëzakonshëm pas një sezoni plotësisht të merituar nga një skuadër që diti të bëjë të pamundurën realitet.

E për të mos zhgënjyer tifozët në stadium, edhe takimi i fundit duhej mbyllur me fitore, përballë një Vllaznie që udhëtoi drejt Korçës më shumë për t’iu bashkuar festës, sesa për të rivalizuar në fushë.

Fillimisht Berisha në minutën e 11 e më pas Progni në minutën e 42-të i dhanë fitoren 2-0 korçarëve përballë shkodranëve dhe vulosën fitoren e 27 në këtë kampionat.

Me 27 fitore, 7 barazime dhe vetëm 5 humbje, me sulmin e dytë më të mirë të kampionatit, (një gol më pak se Kukësi) dhe mbrojtjen absolutisht më të mirë, korçarët përmbyllën kështu një tjetër sezon fantastik.

Kukësi i ‘abonuar’ me vendin e dytë, fitoi më herët 0-2 ndaj Flamurtarit dhe rimerr për të tretin vit me radhë titullin e nënkampionit. Por sezoni nuk është mbyllur këtu për kuksianët, që do të diskutojnë Kupën e Shqipërisë në finale me Laçin.

Laçianët shkatërruan 4-1 Apoloninë e Fierit, ndërsa Partizani mposhti 0-3 Elbasanin dhe siguroi pjesëmarrjen në Europë falë vendit të tretë.

Tirana fitoi jo pa vështirësi ndaj Teutës me rezultatin 1-0, por me 71 pikë dhe me vendin e katërt në renditje, mbetet jashtë Europës. Megjithatë bardheblutë kanë një shpresë të fundit, por që nuk është më në dorën e tyre. Në finalen e Kupës së Shqipërisë ata bëjnë ‘tifo’ për Kukësin, i cili nga ana e tij ka siguruar pjesëmarrjen në Europë falë vendit të dytë dhe ngritja e trofeut të Kupës, do të përkthehej në një biletë për Tiranën në Europë dhe lënies së Laçit jashtë.

Top Channel