Transferimi i Gashit, Lazio duhet të luajë në Champions

22/05/2015 00:00

Këtë verë, sulmuesi i kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, mund të transferohet te Lazio, por vetëm nëse lacialët arrijnë të sigurojnë një biletë për në Champions League-n e sezonit të ardhshëm.

Mediet italiane kanë shkruar të premten se lojtari i Baselit po monitorohet edhe nga shumë skuadra të tjera europiane. Gashi është duke kaluar momentet e tij më të mira në karrierë dhe është pranë shpalljes “Këpuca e Artë” në Zvicër për të dytin vit radhazi.

Derbi i së hënës mes Romës dhe Lazios do të jetë vendimtar për të kuptuar nëse Gashi do të transferohet në kryeqytetin italian. Aktualisht, Lazio mban vendin e tretë në klasifikimin e Serisë A, kur kanë mbetur edhe dy javë në përfundim të kampionatit.

Objektivi i lacialëve është vendi i dytë, në mënyrë që të shkojnë direkt në fazën e grupeve, pasi vendi i tretë detyron të luajnë në eliminatoret e gushtit. Po ashtu, me rikthimin në Champions, Lotito do të paguante edhe shumën e kërkuar nga Baseli për sulmuesin shqiptar.

Top Channel