Reali, Perez ka zgjedhur Benitez. Tifozët i dalin kundër

22/05/2015 00:00

Ditët e Carlo Ancelotti-t në pankinën e Realit duket se janë të numëruara. Presidenti i “Galaktikëve”, Florentino Perez, ka vendosur që t’i tregojë derën italianit që mbylli sezonin pa asnjë trofe, ndërkohë që “La Decima” dhe Kupa e Mbretit të vitit të kaluar nuk janë të mjaftueshme.

Perez ka filluar kontaktet me trajnerin e Napolit, Rafa Benitez, që synon ta rikthejë në vendlindje dhe t’i besojë skuadrën për vitet në vazhdim. 55-vjeçari që ka fituar 12 trofe të rëndësishëm në karrierën si trajner, do ta ketë të vështirë të refuzojë një skuadër si Reali.

Megjithatë, me vendimin e Perez nuk janë të kënaqur aspak tifozët e Realit. Sipas një sondazhi në internet, tifozët duan që Ancelotti të qëndrojë në pankinën e skuadrës, të paktën edhe për një vit tjetër.

Rreth 44% e tifozëve madrilenë janë shprehur “pro” qëndrimit të italianit, ndërsa Jurgen Klopp është renditur i dyti si më i pëlqyeri me 29%. Edhe një ish-lojtar i Realit, Michel, ka marrë më shumë vota se Benitez për të drejtuar skuadrën, me 12%, ndërsa trajneri aktual i Napolit është në vendin e katërt me 8%, duke lënë mbrapa vetes vetëm Unay Emerin me 7%.

Top Channel