Xavi konfirmon largimin nga Barcelona

21/05/2015 00:00

Xavi Hernandez ka konfirmuar se do të largohet nga Barcelona në përfundim të këtij sezoni. Në një konferencë për shtyp para seancës stërvitore të së enjtes, kapiteni i katalanasve ka thënë atë që ishte paralajmëruar prej kohësh nga mediet.

“Para se të fillojmë me pyetjet, dua të konfirmoj se do të largohem nga Barcelona në fund të këtij sezoni. Ishte një vendim i vështirë për t’u marrë, por është përfundimtar dhe nuk ka kthim mbrapa. Kam biseduar me familjen time dhe kemi vendosur bashkë. Është koha e duhur për t’u larguar sepse kam nevojë për të ndryshuar ambient”-, është shprehur Xavi.

Xavi gjithashtu ka njoftuar se destinacioni i tij do jetë Katari, ku ka firmosur një kontratë me skuadrën e Al Saad. “Projekti i Al Saad në Katar më ka intriguar, prandaj kam firmosur një kontratë dy vjeçare, ku kontributin tim nuk do ta jap vetëm në fushë, por edhe te akademia e skuadrës në rolin e trajnerit dhe drejtorit sportiv”-, ka treguar mesfushori.

E shtuna do jetë një ditë speciale për Xavi Hernandez që ka luajtur 763 ndeshje me fanellën e Barcelonës në afro dy dekada. Në këtë ditë ai do të ngrejë lartë trofeun e La Liga-s, të tetin në total për të. Megjithatë, ka shumë mundësi të mos jetë i fundit, pasi më 30 maj do luajë finalen e Kupës kundër Bilbao-s, ndërsa më 6 qershor finalen e Ligës së Kampionëve kundër Juventusit.

Top Channel