Klopp akord me Realin, Ancelotti rikthehet te Milani

19/05/2015 00:00

Sa i përket të ardhmes së Milanit, duket se vetëm një gjë është e qartë: Inzaghi nuk do të jetë më trajneri i kuqezinjve. Pas një sezoni jo shumë të mirë të Realit, Carlo Ancelotti shihet si njëri ndër kandidatët për të marrë drejtimin e Milanit.

Për shkak të së shkuarës së lavdishme, Ancelotti shihet si zgjedhja perfekte për stolin e skuadrës kuqezi edhe nga vetë tifozët, të cilët duan që Milani të luftojë për ndonjë trofe. Sipas medieve italiane, Galliani është në kontakt të vazhdueshëm me Ancelottin, por kjo nuk është e mjaftueshme.

Trajneri italian është duke pritur një takim me Florentino Perez, por presidenti i “galaktikëve” ka preferuar që të takohet me parë me Jurgen Klopp, për të cilin thuhet se ka një marrëveshje.

Trajneri gjerman ka rënë dakord për një kontratë dy-vjeçare, që do e mbante në “Santiago Bernabeu” deri më 2018-n, ndërsa do përfitojë rreth 8 milionë euro në sezon. Megjithatë, nuk pritet që të bëhet asgjë publike, të paktën deri para finales së Kupës së Gjermanisë, që Dortmund e luan kundër Wolfsburg-ut, më 30 maj.

Milani tani kërkon të bind Ancelottin, por ka një rival të fortë, dhe ai është Manchester City. “Qytetarët” po vuajnë në Europë, dhe Ancelotti është njeriu që mund t’u garantojë suksesin në Champions, por Don Carlo duhet të zgjedh mes dashurisë së vjetër, siç e ka quajtur ai vetë Milanin, apo milionave të City-t.

Top Channel