Festë dhe lot për legjionarët

17/05/2015 00:00

Ka qenë një javë e mirë për futbollistët shqiptarë në arenat ndërkombëtare. Barazimi pa gola i Basel-it me Young Boyes ka bërë që skuadra e Shkëlzen Gashit, Taulant Xhakës dhe Arlind Ajetit të sigurojë titullin e 18 në histori, tre ndeshje pa përfunduar sezoni.

Baseli tani do të fokusohet në finalen e Kupës së Zvicrës, që luhet më 7 qershor, përballë Sion-it. Ndërkohë, Shkëlzen Gashi me 21 gola të shënuar vazhdon të kryesojë garën për “Këpucën e Artë”, që mund të jeta e dyta rradhazi.

Besart Berisha vazhdon të shkëlqejë në Asutrali. Ai ka shënuar njërin prej tre golave të Melbourne-t në finalen e kampionatit australian ndaj Sydeney-t, duke arritur titullin e parë më skuadren e re dhe të tretin në total> Në dy rastet tjera, Berisha kishte arritur të festonte me skuadrën Brisbane Roar. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e parë në minutën e 33, në ndeshjen që përfundoi me rezultat 3-0.

Fitorja minimale e Karabakh-ut ndaj Symqayi-t, ka bërë që Ansi Agolli dhe Admir Teli të festojnë titullin e dytë kampion në Azerbajxhan, ndërkohë që janë edhe në finale të Kupës së këtij shteti, që do luhet më 3 qershor. Agolli dhe Teli luajtën 90 minuta në këtë fitore, por me Ansin që është ndëshkuar me të verdhë.

Në Kroaci, Bekim Balaj ka gjetur rrugën e golit. Skuadra e tij, Rijeka ka shënuar fitore përballë Zadar-it të vendit të fundit 0-2. Balaj ka shënuar në fund të pjesës së parë. Të shtunën, Sokol Cikalleshi ka luajtur 90 minuta në sfidën që skuadra e tij RNK Split e ka humbur përballë kampionëve të Zabregit.

Serie A filloi mbarë për shqiptarët, me Etrit Berishën që ndihmon Lazion të arrijë fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Samdoria-s. Sfida që përfundoi 0-1, ishte shumë e rëndësishme për portierin e Kombëtares Shqiptare që nuk ka gëzuar shumë minuta ndeshjet e fundit. Në rradhë është finalja e Kupës së Italisë dhe trajneri Pioli mund t’i besojë sërish shqiptarit.

Ndërkohë, Lorik Cana vazhdon të jetë i dëmtuar dhe nuk do jetë i gatshëm për finalen e 20 majit. Edhe pse më parë është deklaruar se do jetë i gatshëm, por zhvendosja e datës së kësaj ndeshjeje, për shkak të finales së Champions-it, bën që kapiteni i Kombëtares ta përcjellë këtë sfidë nga tribunat.
 
Empoli i Elseid Hysajt ka humbur në përballje me Verona-n 2-1. Futbollisti shqiptar ka luajtur 90 minuta, duke bërë një ndeshje të mirë. Humbja nuk ndikon në skuadrën e Empolit që ka siguruar qëndrimin në Serie A.

Torino ka shënaur fitore ndaj Chievo-s 2-0, por Migjen Basha dhe Armando Vajushi nuk kanë gëzuar asnjë minutë në fushë. Pas rikthimit nga dëmtimi, Basha nuk po arrin të sigurojë një vend në formacionin e torinezëve, ndërsa shkodrani që nga transferimi në janarin e këtij viti, ende nuk ka debutuar në Serie A.
 
Ledian Memushaj ka shënuar gol në transfertë ndaj Varese-s, por Pescara ka humbur 2-1, duke shuar shpresat për ndonjë rikthim në Serie A. Pavarësisht formës së mirë të Memushajt, Pescara ende është larg zonës së Play Off-it. Ky sezon ka qenë shumë i suksesshëm për mesfushorin shqiptar, duke shtuar zërat për ndryshim ambienti, ndoshta për të luajtur edhe në kampionatin elitar të shtetit përtej “Adriatikut”.

Momente të vështira për shqiptarët e Bundesliga 2, skuadrat e të cilëve vazhdojnë të jenë në pjesën e poshtme të klasfikimit. Edmond Kapllani ka shënuar gol në humbjen e FSv Frankurt ndaj Union Berlin-it, një ndeshje që është mbyllur 1-3. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e barazimit në pjesën e parë, por skuadra e tij nuk arriti të marrë një rezultat pozitiv. Bashkë me Kapllanin, nga minuta e parë ka luajtur edhe Odise Roshi që u ndëshkua me karton të verdhë. Frankfurt ende rrezikon rënien në Bundesliga 3.

Skuadra e Valdet Ramës, Munchen 1860 ka shënuar fitore 2-1 në sfidën ndaj Nurnberg-ut. Shqiptari nuk ka shënuar gol, por ka qenë njëri ndër më meritorët për këtë rezultat pozitiv, pasi ka bërë një ndeshje të mirë. Ndërkohë, skuadra e Jurgen Gjasulës dhe Orhan Ademit, Aalen ka rënë në Bundeliga 3, pas humbjes 2-4 në shtëpi nga Heidenheim.Njërin gol për Aalan e ka shënuar Ademi.

Top Channel