Incidentet, Boca Juniors përjashtohet nga gara

17/05/2015 00:00

Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut është treguar e ashpër ndaj Boca Juniors, pas incidenteve në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Copa Libertadores, ku lojtarët e River Plate u sulmuan me spraj me piper.

Boca Juniors është përjashtuar nga garat, ndërsa River Plate do vazhdojë të jetë në lojë për këtë trofe. Po ashtu, Boca është gjobitur me 200 mijë dollarë si dhe do luajë katër ndeshje me dyer të mbyllura.

Ndeshja mes këtyre dy skuadrave u ndërpre pak para nisjes së pjesës së dytë, pasi tifozët vendas sulmuan lojtarët e River Plate me spraj me piper, kur ata po zbrisnin në fushën e lojës. Sipas mediave argjentinase, lojtarët e Riverit u sulmuan në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes.

Përveç pamjeve dramatike, ra në sy edhe mungesa totale e ndihmës nga ana e lojtarëve dhe stafit të Boca Juniors. Për dy orë, lojtarët e Riverit qëndruan në mesin e fushës të rrethuar nga policia, pasi tifozët nuk lejonin që ata të hynin në dhomat e zhveshjes e të largoheshin nga stadiumi.

Top Channel