“Lamtumira” e një legjende… Steven Gerrard

17/05/2015 00:00

Lamtumira e një kampioni, e një legjende… Dje Steven Gerrard ka përshëndetur për herë të fundit tifozët e tij “të kuq” në “Anfield Road”, duke hyrë në historinë e këtij qyteti, por jo vetëm sa i përket aspektit futbollistik. Ishte e njëjta dhimbje e pafundme, si të ishte “i fundit” i “Beatles”-ave që linte kitarën mënjanë, për të mos prodhuar më tinguj…

Stevie u nda me “popullin” e tij pas 709 ndeshjeve të zhvilluara me Liverpoolin, skuadër për të cilën bënte tifo që i vogël, e pjesë e të cilit u bë që në moshën 17-vjeçare. Edhe pse nuk ndodhi në mënyrën më perfekte të mundshme, pasi ekipi i tij u mposht në kampionat, por ky nuk ishte veçse detaji më i parëndësishëm në ato momente, të cilat vetëm magjia e futbollit di t’i dhurojë.

Ishte një ditë e gjatë, teksa “Anfield Road” ishte tejmbushur nga tifozët… Shumë prej të cilëve mund të kishin mbërritur nga shumë larg: Australisë, Kuvajtit, madje edhe nga Shtetet e Bashkuara, aty ku Gerrard do të vijojë karrierën e tij tashmë “drejt perëndimit”. Do të veshë fanelën e ekipit të Los Angelesit, “LA Galaxy”.

Por, ajo që kishte më shumë rëndësi është se një kapiten legjendar si Gerrard u prit edhe nga “rojet e nderit”, të përbërë nga lojtarët e të dy skuadrave që zbritën në fushë, ndërkohë që të gjithë tifozët ishin në këmbë duke kënduar himnin e Liverpoolit: “You’ll never walk alone”. (Ju kurrë nuk do të jeni vetëm).

Stevie, siç e thërrasin me përkëdheli, preku për herë të fundit fushën e blertë të “Anfield”, teksa doli nga tuneli i dhomave të zhveshjes me vajzën e tij Lourdes në krahë, ndërkohë që dy vajzat e tjera, Lilly dhe Lexie e shoqëronin edhe duke e kapur përdore. Në tribunë ishte bashkëshortja, Alex Curran, ish-modele dhe gazetare.

Të gjithë të pranishmit ishin vetëm me fanelën me numrin 8 dhe ai, pasi i dhanë mikrofonin, i emocionuar por tepër i fortë për të shmangur lotët, përshëndeti tifozët që e kanë shoqëruar përgjatë gjithë karrierës.

“Do të më mungojë shumë ky stadium. Do ta mbaj gjithnjë në zemër, ngado që të shkoj. Nuk di të përcaktoj se cili ka qenë momenti më i bukur i përjetuar këtu në ‘Anfield’, por më pëlqen të kujtoj herën e parë që kam zbritur këtu me fanelën e Liverpool. Gjithsesi, dua t’i kujtoj të gjithë, shokët e sotëm e të djeshëm, trajnerët që më kanë stërvitur, por edhe tifozët tanë, jo vetëm këtu, por anembanë botës. Jeni më të mirët”.

Dhe nuk kishte si të mungonin edhe mesazhet përshëndetëse nga e gjithë bota e futbollit dhe jo vetëm. Shumëkush e konsideroi jo thjesht një kapiten, por një flamur, një legjendë…

Top Channel