Juve, Allegri drejt rinovimit. Lojtarët mbushin xhepat

15/05/2015 00:00

Verën e kaluar, mes fërshëllimave të tifozëve në Vinovo, Massimiliano Allegri bëri stërvitjen e parë me skuadrën e Juventusit. Një vit më vonë, jemi në pritje të finales së Berlinit, ku Juventus do sfidojë Barcelonën, pasi eliminoi Realin. Por, jo vetëm kjo, titulli i katërt rradhazi dhe finalja e Kupës, mund të bëjnë që datën e 7 qershorit, Juve ta gdhijë duke festuar tripletën.

Prandaj, shoqëria bardhezi nuk është duke qëndruar pasive, pasi pritet që t’i ofrojnë Maksit rinovimin, që do shoqërohet me një rritje page. Skenari i parë është rinovimi 1-vjeçar, me mundësi për një tjetër, ndërsa i dyti, rinovim 2-vjeçar. Kontrata aktuale e Allegrit skadon në qershor të 2016-s. Nga 2 milionë euro sa përfiton tani, në llogarinë e trajnerit livornez në të ardhmen pritet të derdhen 3.5 milionë euro.

Ndërkohë, edhe lojtarët nuk janë lënë pa gjë. Për shkak të bonueseve, deri më tani djemtë e “zonjës” kanë përfituar nga 400 mijë euro, ndërsa me fitore në finalen e Kupës dhe atë të Berlinit, mund të përfitojnë akoma më tepër.

Të shtunën Juve do luajë në transfertë ndaj Interit, por Allegri ka paralajmëruar se pesë titullarë do të pushojnë. Tevez, Buffon, Pirlo, Evra dhe Vidal nuk do jenë në sfidën me zikaltërit, të cilët vazhdojnë të besojnë në Europë.

Top Channel