Alonso e Montezemolo thumbojnë Ferrarin. Ish-presidenti mohon gjithçka

13/05/2015 00:00

Fernando Alonso vazhdon të thumbojë. Pas Çmimit të Madh të Spanjës, ku u rishfaq edhe njëherë superfuqia e Mercedesit krahasuar me rivalët e tjerë, spanjolli ka përfituar të lëshojë një tjetër shkëndijë kritike ndaj Ferrarit, prej të cilëve u largua në fund të sezonit të kaluar.

“Jam i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë. Kam kaluar te McLareni dhe këtu do të garoj. Një vit më parë isha i distancuar me 30 sekonda deri në 1 minutë nga Mercedesët, ndërsa këtë vit, Ferrari në Spanjë ka qenë plot 43 sekonda larg “shigjetave të argjendta”. Kështu që, nuk ka ndryshuar asgjë dhe, përderi sa nuk ndryshoi gjë për 5 vjet, nuk dëshiroja të qëndroja në pritje të përsëritjes së të njëjtës gjë edhe për vitin e 6-të apo të 7-të”, është shprehur Fernando Alonso.

Rastin për të folur mbi momentin aktual të skuderisë nga Maranello nuk e ka humbur as Luca di Montezemolo, tashmë ish-president i “kokëkuqes”.

“Të jem i sinqertë, besoj se Ferrari ka pasur pak fat. Kjo, sepse këtë vit, përveç Mercedesit nuk ka rivalë të tjerë. Williamsi nuk është përmirësuar sa duhej. Red Bulli ka ngecur në vend, ndërsa McLareni është në krizë. E thënë shkurt, Ferrari e nis çdo garë me podiumin në xhep. Por, edhe ky fat është i kotë, nëse nuk arrin ta shfrytëzosh për të siguruar avantazhin ndaj të tjerëve”, ka deklaruar ish-udhëheqësi i “kokëkuqes”.

Megjithatë, vetëm një ditë më pas ish-drejtuesi i Ferrarit ka reaguar duke hedhur poshtë ato, që ai i ka quajtur “shtrembërime”.

“E them dhe do ta them gjithnjë dhe vetëm Forca Ferrari”, është shprehur Montezemolo, në lidhje me deklaratat e “shfrytëzuara me dashakeqësi”, në lidhje me polemikën se “kokëkuqja” ka qenë me fat këtë sezon. “I qëndroj pranë, madje si një tifoz i çmendur, çdo lloj impenjimi të skuderisë italiane, të çfarëdo lloj niveli. Ndaj mjaft me shtrembërime”.

Top Channel