Champions, Pique: Një finale Barça-Real, historike

13/05/2015 00:00

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique e mirëpret mundësinë e përballjes me rivalët e përjetshëm të Realit të Madridit për herë të parë në një finale të Champions League, nëse kjo do të ndodhë në Berlin pas afro dy javësh.

Katalanasit siguruan një biletë për në finalen e katërt në 10 vitet e fundit, pas triumfit 5-3 me rezultat të përgjithshëm ndaj Bayern Munchen, pavarësisht se humbën 3-2 një ditë më parë në “Allianz Arena”, ndërkohë që “Los Blancos”-it do të duhet të përmbysin rezultatin 2-1 të takimit të parë, kur të presin Juventusin këtë mbrëmje.

“Një finale ndaj Realit do të ishte e shkëlqyeshme dhe historike”, tha mbrojtësi i kombëtares spanjolle.

Barça nuk është vetëm në prag të ngritjes së titullit të pestë europian, por gjithashtu vetëm 3 ndeshje larg nga përmbushja e “tripletës” në të gjithë historinë e klubit.

Ekipi i drejtuar nga Luis Enrique do të synojë të shpallet kampion i La Ligas, nëse fiton ndaj Atletico Madrid këtë të diel, ndërsa do të përballet me Athletic Bilbao në “Camp Nou” në finalen e Kupës së Mbretit, më 30 maj.

“Është një statistikë e shkëlqyer të jesh në finalen e katërt të Championsit brenda 10 viteve të fundit”, tha Pique. “Gjatë këtyre viteve, epoka jonë futbollistike është karakterizuar nga rezultate tepër pozitive, por edhe nga një filozofi e veçantë loje. Jam i lumtur që kam qenë pjesë e kësaj skuadre këto vite”.

Top Channel