Enrique: Presim një Bayern ofensiv

11/05/2015 00:00

Pasditën e së hënës, skuadra e Barcelonës ka ateruar në Munich, ku të martën pritet të luajë gjysmëfinalen e dytë përballë bavarezëve të Pep Guardiola-s. Trajneri i katalanasve, Luis Enrique ka thënë se nuk ndihen të relaksuar, pasi Bayern-i ka treguar që di të përmbysë rezultate.

“Në një gjysmëfinale të Champions-it asnjëherë nuk je i relaksuar. Bayern-i ka treguar që di të përmbysë rezultate, prandaj më është dashur të qetësoj lojtarët. Presim një ndeshje të fortë, kemi analizuar ndeshjen e kaluar dhe duam që të martën t’i godasim në momentin e parë që na jepet mundësia”-, u shpreh Enrique.

Numri një i pankinës së Barçës, pret nga Bayern-i që të jetë më ofensiv se në ndeshjen e parë, ndërsa shton se lojtarët e tij duhet të tregohen të kujdesshëm. “Jam shumë i sigurt që Bayern-i që do shohim të martën do jetë më ofensiv se ai i javës së kaluar. Si do luajmë ne? Lojtarët e dinë që duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në sulm dhe mbrojtje”-, tha Luis.

Ndërkohë, kujdes ka kërkuar edhe Mascherano. Argjentinasi është shprehur se Bayern-i është një skuadër e madhe, me shumë histori dhe me dëshirën e madhe për ta përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë. “Ne e njohim shumë mirë Bayern-in, trajnerin e tyre dhe atë stadium. Nuk do jetë aspak lehtë, do duhet të luftojmë deri në minutën e fundit. Ata janë një skuadër e madhe, me shumë histori dhe janë të uritur për trofe, njëjtë sikurse edhe ne”-, deklaroi Mascherano.

Top Channel