F1, Button: Nuk do të marrim pikë këtë sezon

11/05/2015 00:00

Jenson Button i ka bërë apel skuadrës së tij McLaren të përmirësojë brenda pak ditësh paraqitjen në garat e Formulës 1, pasi në të kundërt rrezikon seriozisht të mbyllë kampionatin pa asnjë pikë.

Piloti britanik e nisi nga vendi i 14-t garën prej 66 xhirosh në Spanjë, por me startin e dobët u detyrua të përfundonte në vendin e 16-të.

“Ishte shumë e vështirë të drejtoje makinën në Spanjë. Kur preka pedalin e makinës, më rrëshqiti makina dhe jam i sigurt që kishte diçka që nuk shkonte. Problemi më i madh është në kthesa, ku duhet të ulësh ndjeshëm shpejtësinë dhe kur tenton të rinisësh makinën në maksimum, ndoshta mund të humbësh kontrollin”, tha piloti britanik.
 
Button, një herë kampion i Formulës 1, e përfundoi garën një xhiro më vonë se fituesi i ndalesës së Barcelonës, Nico Rosberg.

“Pas garës së zhvilluar të dielën nuk pres të marrim pikë këtë sezon”, tha Button.

Top Channel