Berlusconi: Milani në shitje. Heq dorë nga shumica, nëse e ringrejnë në Europë

10/05/2015 00:00

Presidenti i klubit kuqezi, Silvio Berlusconi ka deklaruar në një intervistë për mediet italiane se është gati të shesë klubin dhe të heqë dorë nga shumica e aksioneve, por me kushtin që të ardhmen e ekipit t’ia besojë dikujt që do ta bëjë sa më kompetitive skuadrën.

Duke sjellë në vëmendje rivalët e Interit, është shprehur se “Moratti ia shiti aksionet e klubit zikaltër Thohirit, të cilit po i ecën për ta bërë Interin një ekip të madh. Zikaltrit kanë 10 të huaj dhe vetëm një lojtar të madh, Ranocchian”.

Me këtë fjalë, padroni i Milanit ka sqaruar të ardhmen, duke theksuar se Milani jo vetëm është në shitje, por se ai është gati të lërë edhe shumicën e aksioneve. Kthesa historike është deklaruar publikisht dhe zyrtarisht tashmë. Deri më sot ishim ndalur te deklaratat e 2 Majit, jashtë një hoteli të Milanos, ku doli në krah të Bee Taechaubol. “Ekziston mundësia që të mbaj 51% të aksioneve”.

Megjithatë, duket se ish-kryeministri italian e ka mendjen vetëm te Milani tani, deri sa t’i japë një zgjidhje përfundimtare. Edhe pse besohej se do të jepte ndonjë deklaratë pas zgjedhjeve, ai ka pranuar se “jam në kërkim të dikujt që mund të investojë parà te Milani. Dua të zbuloj jo vetëm një blerës të thjeshtë, dikë që kërkon të fitojë një popullaritet të madh e të menjëhershëm. Përpara se ta shes klubin, dua të sigurohem se, madje mund t’i ofroj edhe shumicën e aksioneve, por dikujt që do të jetë në gjendje ta ngrejë klubin në të njëjtin nivel me ekipet e tjera të mëdha të Europës. Vetëm në këtë pikë do të sakrifikoja dhe do të hiqja dorë prej Milanit”.

Me pak fjalë, e ka përkufizuar në këtë shprehje: “Ia shesh Milanin vetëm dikujt që do të derdhte 200 milionë euro në vit, por nëse qëndroj ky ekip do të ketë vetëm italianë”.

Top Channel