Provat e lira në Montmelo, Vettel mes dy Mercedesëve

08/05/2015 00:00

Lewis Hamilton “ulëret” me të madhe edhe në sesionet e provave të lira për Çmimin e Madh të Spanjës, të parin e turit europian për sezonin 2015 në Formula 1.

Piloti britanik i Mercedesit, ndryshe nga sesioni i parë, ka dominuar në të dytin me kohën 1’26’’852, duke lënë pas krahëve të tij gjermanin e Ferrarit, Sebastian Vettel, e pas këtij shokun e skuadrës, gjermanin tjetër Nico Rosberg.

Në vendin e katërt është renditur Ferrari tjetër i finlandezit Raikkonen, ndërsa në radhë pas dy skuderive pretendente për titullin janë vënë Danil Kvyat me Red Bull dhe Max Verstappen.

McLaren, pas modifikimeve të fundit, ka mundur të ngjisë Buttonin në vendin e 7, ndërsa spanjolli që garon në shtëpinë e tij, Fernando Alonso, nuk ka shkuar më shumë sesa vendi i 11.

Për t’u theksuar, një incident i papritur për Romain Grosjean, që ka detyruar ndërprerjen e provave për rreth 15 minuta. Francezit të Lotusit iu shpërbë pjesa mbuluese e motorit të makinës në pjesën e drejtë të pistës… Shumë mbetje përfunduan në pistë, duke e bërë të pashmangshme nxjerrjen e flamurit të kuq.

Top Channel