Klasifikimi i FIFA-s, Shqipëria nuk ndryshon pozicion

07/05/2015 00:00

FIFA ka publikuar klasfikimin e fundit të kombëtareve, me Shqipërinë që nuk ndryshon pozicion. “Kuqezinjtë” mbeten të 57-t në botë, pasi gjatë muajit të fundit nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje ndërkombëtare.

Ndërkohë, as rivalët e grupit për eliminatoret e Europianit nuk kanë shënuar ndonjë progres. Portugalia e Cristiano Ronaldo-s mbetet e shtata, Serbia në pozicionin e 44-t dhe Armenia në të 77-n. Vetëm Danimarka ka humbur një pozicion, duke rrëshqitur në vendin e 29.

Kampionët e Gjermanisë vazhdojnë të kryesojnë, me një diferencë të theksuar ndaj Argjentinës dhe Belgjikës.

Ndryshime në klasifikim pritet të ketë pas ndeshjeve të qershorit, ndërsa për Shqipërinë mund të ndodhë të ketë lëvizje pas vendimit të CAS-it për ndeshjen me Serbinë, që pritet të publikohet në fund të këtij muaji.

Top Channel