Ferrari e ka frikësuar tashmë Mercedesin. Lauda: Luftë deri në garën e fundit

07/05/2015 00:00

“Ferrari tashmë është i të njëjtit nivel me Mercedesin”, kështu është shprehur Niki Lauda, në prag të garës së parë europiane që do të zhvillohet në Spanjë këtë fundjavë.

Presidenti i nderit të skuderisë gjermane është i bindur se “kokëkuqja” ka bërë një hap të madh përpara, sidomos sa i përket zhvillimit të motorit të tyre, në atë pikë sa thuajse e ka zeruar diferencën që ka pasur me “shigjetat e argjendta”.

“Ferrari i ka zhdukur diferencat me ne. Në krahasim me vitin 2014, dallimet mes dy skuderive tona janë thuajse zero”, ka thënë ai gjatë një interviste.

“Besoj se kanë arritur të sigurojnë rreth 45 kuaj fuqi më shumë, sa i përket fuqisë së motorit, krahasuar me vitin e kaluar. Ndaj bindjen se kanë të njëjtën forcë si ne. Tashmë diferencën mes nesh e bëjnë telajot dhe pilotët. Sezoni nuk ka përfunduar. Janë zhvilluar vetëm 4 gara, por ekuilibri mes nesh do të ‘mbretërojë’ deri në fund. Ferrari është shumë i fortë dhe për këtë nuk ka aspak dyshim. Por ne kemi për detyrë të besojmë se do t’i mundim ata, e nga ana tjetër, të mos e mendojmë veten si të pamposhtshëm, sepse do të ishte gabim i madh”, përfundon deklaratën Lauda.

 

Top Channel