Luis Enrique: Finalisti nuk është përcaktuar ende, na pret një ndeshje e vështirë në Gjermani

07/05/2015 00:00

Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique, është shprehur i lumtur për fitoren 3-0 ndaj Bajernit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League, por thotë se ekipi që do të shkojë në finale nuk është përcaktuar ende.

“Duhet të jemi të lumtur për atë që treguam dhe për rezultatin e kësaj ndeshjeje, por nuk duhet të harrojmë që kemi për të luajtur edhe 90 minuta. Në Gjermani na pret një garë e vështirë”, ka thënë Enrique, pas përfundimit të ndeshjes.

Ndërkohë, Lionel Messi, autori i dy supergolave në këtë ndeshje, ka marrë vlerësime maksimale nga shokët e tij të ekipit.

Kroati Ivan Rakitic tha se argjentinasi tregoi dallimin mes një lojtari të madh dhe lojtarit unik. Ndërsa Javier Mascherano u shpreh se Barcelona zhvilloi një ndeshje të mirë, por Messi ishte ai që bëri diferencën.

Ish-lojtari i Barcelonës, Thierry Henry, tha se ndeshja ishte e barabartë deri në minutën e 77-të, ndërsa më pas Messi vendosi ta fitonte ndeshjen dhe e bëri këtë. “Ai është i mrekullueshëm”, ka thënë francezi.

 

Top Channel