Barça-Bayern, sfidë edhe për Verrati-n

06/05/2015 00:00

Marco Verrati është njëri nga mesfushorët më premtues në botë. Shumë skuadra të mëdha europiane kanë hyrë në garë për italianin e PSG-së. Barcelona dhe Bayern-i e duan me patjetër këtë verë, ndërsa nga plani i dytë situatën po e vëzhgojnë edhe Real e Juventus.

Trajneri i Barçes, Luis Enrique e ka thënë hapur që e dëshiron në skuadër italianin, por rivali i tij në gjysmëfinale të Champions-it, Pep Guardiola ka filluar të bëjë lëvizje konkrete. Kampionët gjerman kanë dorëzuar ofertën e parë te PSG që prek shifrën e 30 milionë eurove.

Ndërkohë, Juventus është duke rishikuar alternativat për zëvendësimin e Andrea Pirlo-s, dhe Verrati është i pari në listën e dëshirave të Allegrit. Këtë verë, “zonja” nuk e ka problem as çështjen e parave, pasi kualifikimi në gjysmëfinalet e Champions-it, dhe mundësia reale për të shkuar në finale, kanë bërë që arkat të mbushen plot.

Një tjetër pikë ku favorizohet Juve, është edhe fakti që lojtari dëshiron rikthimin në Itali. Ne një intervistë të mëhershme, Verrati pati deklaruar se pëlqen që një ditë të kthehet në Serie A. Mbrapa nuk mbetet as Reali i Madridit, që mund t’i ofrojnë kushte më të mira italianit dhe ta detyrojnë që të ndryshojë mendje.

Top Channel